Rënia e interesave te borxhit

16/03/2013 00:00

Për shumë vite me radhë interesat me të cilat Qeveria ka marrë borxh në
tregun e brendshëm kanë qenë ndër më të lartat në rajon edhe për një
arsye të veçantë. Atë që lidhet me konkurrencën në treg.

Në mars të vitit 2010, pas një hetimi të thelluar në tregun e letrave me vlerë, Autoriteti i Konkurrencës deklaroi se Banka e Shqipërisë kishte rritur barrierat për pjesëmarrjen në ankandet e bonove duke kufizuar konkurrencën. Në atë kohë Autoriteti kërkoi menjëherë liberalizimin e tregut duke rekomanduar dhe një sërë masash konkrete.

Por edhe pas hetimit, tregu i letrave me vlerë vijoi të mbetej i ngurtë, deri në fillim të vitit të kaluar, kur disa banka me kapital të huaj në Shqipëri ndaluan kreditimin e Qeverisë. E gjendur në vështirësi për të financuar borxhin, Qeveria u detyrua të hapte tregun për indvidët. Fillimisht përmes hapjes së postës për ankandet dhe më vonë duke rritur kufirin e pjesmarrjes së individëve nga 20 në 50 për qind.

Paralelisht, për herë të parë, vitin e kaluar, Ministria e Financave nisi një fushatë të gjerë publicitare, masa këto që autoriteti i kishte sugjeruar vite më parë. Rezultatet ishin të menjehërshme. Pesha e individëve dhe biznesit në borxhin publik, vitin e kaluar shënoi rritjen më të lartë historike duke arritur në 20.5 për qind të totalit, ndërsa ajo e bankave private u ul për herë të parë.  

Hapja e imponuar e tregut solli rënien e menjehërshme të interesave. Norma mesatare e për bonot tremujore ra nga 5.81 për qind në vitin 2010 në 5.17 për qind, ndërsa ajo e bonove njëvjecare nga 8 u ul në 7 për qind.  
Interesat kanë vazhduar të bien edhe këtë vit duke cekur për bonot njëvjecare 6.21 për qind, një nga nivelet më të ulëta historike. Një pjesë e kësaj rënieje lidhet edhe me faktorë të tjerë, si inflacioni i ulët apo likuiditeti i lartë në sistem. Por në masën më të madhe, ajo që ndodhi me bonot e thesarit, tregon se qytetarët paguajne shtrenjtë për tregjet e kontrolluara, një fenomen ky jo i izoluar në ekonominë shqiptare siç kanë faktuar dhe vetë hetimet e Autoritetit.

Top Channel