Pamundësia e qytetarëve për të shlyer kreditë për shtëpitë, për shkak të
rënies së të ardhurave, ka rritur rastet e marrjes së pronës nga ana e
bankave, të cilat më pas i nënshtrohen procesit të ankandit.

“Me privatizimin e Përmbarimit, bankat kanë gjetur zgjidhjen e tyre për rikthimin të investimit që ato kanë bërë me anë të dhënies së kredive. Ka shumë raste marrje pronash, të cilat dalin në ankand, në shitje. Ka raste që ato shiten sepse janë prona të mira, ka raste që nuk shiten dhe u mbeten bankave në portofolin e tyre të pronave, gjë që do të thotë që edhe ato ngarkohen me një portofol pronash që jo gjithnjë janë shumë të lira dhe janë të shitshme në treg”, thotë Ilda Zaloshnja, përfaqësuese e një Agjencie Imobiliare.

Ekspertët e pronave thonë se rënia e kërkesës për blerjen apartamenteve vazhdon të thellohet, cka po zhyt në stanjacion tregun.

“Përqendrohet kërkesa kryesisht në zona periferike, ku çmimet janë të ulëta dhe buxheti i shpenzimit është i vogël, por ka një rënie të ndjeshme, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thotë Zaloshnja.

Në këtë pikë, krahas krizës së importuar nga Evropa, me pikënisje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga arsyet që vazhdon të ulë kërkesën janë edhe çmimet e larta që ofron tregu.

“Nuk di as edhe një rast të vetëm, që ndonjë nga ndërtuesit të ketë deklaruar një ulje të çmimit, duke i çuar çmimet në kushtet reale të tregut të sotëm”, thotë ekspertja.

Nga ana tjetër, bankat kanë vështirësuar dhënien e kredive për shtëpitë për shkak të rritjes së kredive të këqija, ndërsa vërehët edhe një rritje e interesit nga 9 deri në 11 për qind. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, numri i apartamenteve të pashitura në shkallë vendi në vitin 2012 arriti në shifrën 12 mijë. Numri më i madh i tyre rezulton në qytete turistike ku pati një bum ndërtimesh.   

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA