Kavajë, vdes një nga protestuesit

16/03/2013 00:00

Ngjarja që çoi në arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi, duket se nuk është mbyllur me lirimin e tij. Një nga shtatë të shoqëruarit e të dielës në mbrëmje ka ndërruar jetë paraditen e së shtunës, ndërkohë që dyshime të forta bien mbi shkaqet e vdekjes së tij, duke risjellë në vëmendje sërish ngjarjen e 10 marsit në Kavajë.

Ruzhdi Aliu, 47 vjeç, i cili ishte mes protestuesve që kërkonin lirimin e Roshit dhe që u arrestua gjatë protestë,s ka vdekur papritmas teksa kishte shkuar të mblidhte skrap pranë hekurudhës.

“Babai ime uishte duke dalë prej shtëpisë, shkoi tek protesta, e kapën, e rrahën e futen brenda dhe prej të rrahurës, vdiq. Kur ka qenë në qeli u shtrua në spital dy herë për dhumbje stomaku dhe kishte gjakderdhje”, thotë Leonard Aliu, djali i Ruzhdiut.

Natën e kaluar, i shoqëruar nga gruaja dhe djali Ruzhdi Aliu ka shkuar në urgjencën e spitalit të Kavajës ku është trajtuar me serum dhe medikamente qetësuese dhe pas 45 minutash është larguar drejt shtëpisë. Ndërsa në mëngjes ishte nisur si zakonisht për të punuar.

“Më kanë rrahur, më kanë goditur në gjoks tha ai…dhe jam shumë sëmurë më tha”, deklaroi Hamza Aliu, xhaxhai i viktimës.

Trupi i pajetë i Aliut është transportuar në morgun e qytetit të Durrësit ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes së tij.

Protestuesit e arrestuar bashkë me Aliun pohojnë se ai është ndjerë keq, që natën e arrestimit dhe kishte hemoragji të brendshme. Shkak ishin goditjet e forta me shkelm në pjesën e gjoksit dhe stomakut. Të nesërmen e arrestimit ai është dërguar i shoqëruar me forca policie në urgjencën e spitalit të Kavajës ku ka qëndruar rreth një orë për t’u dërguar sërish në ambientet e komisariatit, në paraburgim.

Ekspertiza tregoi se 47-vjeçari vdiq nga një atak në zemër, ndërsa rezulton se gjatë mbajtjes në komisariat ishte dërguar në spital për shkak të një parainfarkti.

Ruzhdi Aliu u arrestua bashkë me 6 persona të tjerë dhe qëndroi në paraburgim nga mbrëmja e vonë e së dielës deri ditën e mërkurë, kur gjykata vendosi lirimin e të shtatëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA