Rob Portman, një nga senatorët republikanë më influentë, ka hequr dorë nga qëndrimi kundër martesave gay. Senatori i Ohajos ka deklaruar se kishte filluar të ndërronte mendje në vitin 2011, pasi djali i tij, Will, i bëri me dije se ishte homoseksual.
Senatori Portman është shprehur se këndvështrimi i tij i mëparshëm për martesën buronte nga besimi i tij Metodist.
Në vitin 1996, si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, ai votoi Aktin e Mbrojtjes së Martesës, që e përcakton atë si një lidhje mes një burri dhe një gruaje. Gjithashtu, në vitin 1999 ai votoi gjithashtu kundër lejimit të çifteve gay në Uashington për të adoptuar fëmijë.
Çështja e martesave gay ka ndarë thellë Partinë Republikane në Shtetet e Bashkuara, me disa anëtarë që pretendojnë se kundërshtimi i unionit mes njerëzve të të njëjtit seks çoi në humbjen e zgjedhjeve.
Senatori Portman, që ishte konsideruar si kandidati më i mirë për t’u bërë zëvendësi i Romney nëse zgjidhej president i SHBA, e ka bërë të qartë ndryshimin e qëndrimit të tij në një seri intervistash për gazetat e Ohajos.
“Kam arritur në përfundimin se, nëse dy persona janë gati të marrin përsipër një angazhim të përjetshëm, të duan njëri-tjetrin në të mirë e në të keq, atëherë qeveria nuk duhet t’ua mohojë atyre mundësinë për t’u martuar”, ka shkruar ai në një opinion për “Columbus Dispatch”.
Top Channel