Moti i keq dëmton edhe hekurudhën

15/03/2013 18:10

Kushtet atmosferike kanë goditur edhe hekurudhat, duke ndërprerë qarkullimin e trenave të pasagjerëve dhe mallrave në një nga linjat më të frekuentuara, pikërisht atë Durrës-Elbasan.

Të gjitha lëvizjet me tren nga Elbasani drejt Durrësit a Tiranës dhe anasjelltas janë ndërprerë deri në riparimin e segmentit të dëmtuar.

Pezullimi i përkohshëm i qarkullimit mbi shina ka ardhur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, që nuk kanë pushuar gjatë 48 orëve të fundit dhe për pasojë kanë dëmtuar ndjeshëm trasenë në një gjatësi prej disa metrash, në zonën e Peqinit.

Shkak është bërë erozioni, duke e kthyer në të pamundur lëvizjen në këtë linjë, gjë që ka dëmtuar dhe udhëtarët që zgjedhin këtë transport ekonomik për nevojat e tyre.

Drejtues të Hekurudhës Shqiptare dhe brigadat e punës kanë mbërritur në pjesën e dëmtuar të linjës dhe po përpiqen të menaxhojnë situatën dhe kthyer normalitetin në qarkullimin hekurudhor.

Sipas drejtorit të Infrastrukturës Hekurudhore, Edmond Dobi, do të punohet me intensitet të lartë në mënyrë që kjo linjë hekurudhore, mjaft e rëndësishme, të kthehet në normalitet brenda ditës së dielë.

Top Channel