Irani padi kundër “Argos”

12/03/2013 00:00

Filmi “Argo”, fitues i cmimit Oscar si filmi më i mirë dhe një sërë cmimesh të tjera, përfshirë ato Bafta që iu dorëzua regjisorit të tij, Ben Affleck si regjisori më i mirë, mund të jetë në qendër të një padie ndërkombëtare të ngritur nga Irani.

“Argo” flet për përpjekjet e agjentit të CIA-s, Tony Mendez për nxjerrjen gjallë nga Irani të 6 pengjeve amerikane të bllokuar në Teheran gjatë asaj që njihet si “kriza e pengjeve” në vitin 1979, kur protestat popullore rrëzuan regjimin e Shah-ut dhe vendosën Republikën Islamike.

Shtypi në Iran flet për një padi kundër gjithë Hollywood-it dhe kinemasë amerikane ku baza do të jetë “Argo”. Teherani pretendon se filmi nuk jep një tablo reale të situatës në Iran dhe se ka deformuar faktet historike.

Agjencia e lajmeve FARS shkruan se dhënia e cmimit Oscar për “Argon” ka qenë një vendim i frymëzuar politikisht dhe si provë për këtë përmend dorëzimin e cmimit nga Zonja e Parë të Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama.

Përfaqësuesja ligjore e Teheranit në padinë që mund të ngrihet brenda pak javësh, pritet të jetë avokatja franceze, Isabelle Coutant-Peyre, e bërë e famshme për martesën e saj me terroristin venezuelian, Ilich Ramirez Sanchez, i njohur ndryshe si Carlos “Çakalli”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA