Shqiptarët refuzojnë sigurimet

11/03/2013 00:00

Në raportimin vjetor të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në
Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, kryetarja Enkeleda Shehi tha se
penetrimi i sigurimeve në shkallë vendi vazhdon të jetë i ulët.

“Në lidhje me penetrimin e sigurimeve, mund të themi që është ende i ulët rreth 0.67 për qind”, tha kryetarja e AMF-së, Shehi.

Në cilësinë e relatorit, deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu tha se krahas ndërgjegjësimit të qytetarëve, duhen gjendur mekanizmat për të rritur vëllimin e sigurimeve, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

“Duhet konsideruar një nivel i ulët, pesha e sigurimeve në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, gjë që përbën një detyrë dhe përgjegjësi, qoftë të autorititetit, por ndoshta edhe instituciobeve të tjera, që krahas ndërgjegjësimit të qytetarëve duhet të gjenden mekanizma, të cilat do të rrisin vëllimin e sigurimeve”, tha deputeti Shehu.

Një tjetër problem shqetësues është raporti mes sigurimeve të jetës dhe jo-jetës ku dominojnë ato të jo-jetës dhe raporti mes sigurimeve të detyrueshme dhe vullnetare, ku shkalla e atyre vullnetare vazhdon të jetë e ulët.

Për zotin Shehu raporti mes dëmeve prime dhe shpenzimeve prime mbetet i çrregullt pasi ndërsa dëmet janë përkeqësuar, shpenzimet e kompanive të sigurimit janë ulur c’ka mund të ngrejë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e këtyre kompanive, për sa kohë kjo tendencë vërehet prej dy vitesh.

Top Channel