Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, vijon të qëndrojë në dhomat e izolimit në policinë e Tiranës, deri në daljen para gjykatës së kryeqytetit, ku do të vendoset edhe masa e sigurisë ndaj tij.
Avokati i tij, Plarent Ndreca, u takua pasditen e së hënës me klientin e tij dhe mori pjesë edhe në seancën e pyetjeve me prokurorin e çështjes.
Ai u shpreh optimist per lirimin e klientit të tij, pasi arrestimin e cilësoi të paligjshëm, por kjo nuk ndodhi.
“Ka pasur një provokim nga kallëzuesi, ka reaguar tifozeria, ndërsa zoti kryebashkiak është përpjekur të qetësojë situatën. Nuk ka pasur asnjë konfrontim fizik me kallëzuesin. Arrestimi është krejtësisht i paligjshëm. Gjykojmë që edhe Nevil Dede është përdorur nga policia, për të bërë një kallëzim penal”, tha Plarent Ndreca.
Roshi akuzohet për kanosje dhe goditje për shkak të detyrës ndaj trajnerit të Tiranës, Nevil Dede, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe për mosbindje ndaj urdhërit të uniformave blu.
Drejtoria e policisë së Tiranës, përmes një njoftimi, deklaroi se kryebashkiaku i Kavajës dyshohet të ketë konsumuar 3 vepra penale. Tashmë pritet vendimi i gjykatës për të mësuar, nëse Roshi do të mbetet në burg apo do të ndiqet nën masa të tjera sigurie.
Top Channel