Homazhe për arkitektin Agron Jano

11/03/2013 18:30

Piktori dhe arkitekti i njohur Agron Jano, emri i të cilit do të mbetet i gdhendur në shumë projekte të rëndësishme të arkitekturës në Shqipëri, është shoqëruar në banesën e fundit nga bashkëshortja, gjuhëtarja Kristina Jorgaqi, i biri, të afërmit, miqtë e tij të ngushtë dhe qindra të njohur e kolegë.

Mes lotësh dhe lulesh janë kryer homazhet pranë Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Fjalët nga miqtë dhe të afërmit janë të kursyera, sepse ndarja nga jeta e njeriut të tyre të dashur, plot energji dhe humor, ishte e parakohshme.

“Agroni ishte një rastësi, ishte një elitë, matura 72. Ai ishte njishi në shkollë dhe në jetë. Rrezatonte mirësi dhe profesionalizëm. Ishte piktor dhe arkitekt, e donte jetën”, thotë një mik i të ndjerit.

“Iku një njeri i shkëlqyer, një artist dhe arkitekt i talentuar. I shpreh familjes ngushëllimet më të thella”, shprehet ish-kryeministri Ylli Bufi.

Agron Jano, kryetar i Shoqatës së Arkitektëve dhe pedagog i Arkitekturës, u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare. Si pasojë e një krize depresioni, ai zgjodhi t’i jepte fund jetës së tij.

Shoqata e Arkitektëve në një letër dërguar familjes është shprehur se, me ikjen e Agronit ka ikur një pjesë e shpirtit të saj. Në letrën e anëtarëve të shoqatës theksohet se, “ikja e Agronit duhet të na bëjë të reflektojmë thellë mbi raportet e shoqërisë me individin dhe të kuptojmë se duhet të përpiqemi për një shoqëri më humane dhe me sens pozitiv”.

Agron Jano është një ndër arkitektët më në zë në vend. Talenti dhe idetë e tij janë konkretizuar në një sërë objektesh, por edhe panairesh të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.

Top Channel