Gjermani, nga zjarri 7 viktima, edhe fëmijë

10/03/2013 13:00

Një zjarr përfshiu një bllok banimi në jug të Gjermanisë, duke vrarë të paktën 7 persona, 6 prej të cilëve ishin fëmijë, bëri të ditur policia.

Zjarri ra në orët e para të së dielës, në një ish-fabrikë lëkure të konvertuar në bllok banimi, në qytetin Backnang, pranë Shtutgartit.

Ndërtesa kishte një shoqatë të shkëmbimit kulturor gjermano-turk në katin e parë, por policia njoftoi se nuk ka asnjë lloj indikacioni për zjarrvënie, apo për sulme ksenofobike.

Hetuesit, në përpjekje për të përcaktuar shkakun e zjarrit, janë fokusuar në furrat dhe ngrohëset e dy kateve të para.

Zjarri ishte i fuqishëm dhe qindra zjarrëfikës u thirrën për t’u përballur me të.

Policia njoftoi në deklaratën zyrtare: “Nuk kemi asnjë të dhënë në lidhje me një zjarrëvënie apo motive ksenofobike”. 4 persona u shpëtuan nga ballkoni, teksa identiteti i viktimave nuk është bërë ende i ditur.

Rreth 13 persona figuronin si banorë në këtë ndërtesë, por nuk është e qartë se sa prej tyre ishin prezent në kohën e rënies së zjarrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA