Partia Demokratike ka akuzuar kreun e opozitës se gënjen kur flet për taksat. Deputeti Florion Mima tha se nuk është fare e vërtetë, se taksat që paguan kryeministri janë njësoj me ato që paguan një mësues.

“Zoti Edi Rama vazhdon të mashtrojë shqiptarët me përrallën e Nastradinit, sipas së cilës, për shkak të taksës së sheshtë prej 10%, në Shqipëri mësuesit dhe kryeministri paguajnë njësoj. E vërteta është se taksa për të ardhurat personale prej 10%, për kryeministrin është 300 mijë lek të reja në vit, kurse për mësuesit ajo është 5 herë më e ulët, ose 60 mijë lek në vit. Partia Demokratike u deklaron shqiptarëve se ulja e taksave, vendosja e taksës së sheshtë dhe lufta kundër korrupsionit, bënë të mundur që, që prej vitit 2006 e deri më sot, të mblidhen 9,2 miliardë dollarë më shumë se sa gjatë qeverisjes taksë-progresive të socialistëve. Ato bënë të mundur që, që nga viti 2006 e deri më sot, të rritet me 2,5 herë numri i bizneseve aktive në Shqipëri dhe të dyfishohet numri i të punësuarve. Të ndërtohen dhe rindërtohen mbi 10 mijë km rrugë, mbi 1300 shkolla, qindra sisteme ujësjellës kanalizime etj. Ne garantojmë qytetarët shqiptarë se taksat e ulta janë zotimi ynë dhe se nga paketa e re e reformave tona ekonomike dhe fiskale do të përfitojnë të gjithë shqiptarët”, u shpreh Florion Mima.

“Prej më shumë se 10 javës zoti Rama, ndonëse mashtron për të gjitha çmimet, fshihet dhe nuk iu tregon shqiptarëve çmimin e vërtetë, me të cilin ka blerë 8000 metra katrorë të truallit të rezidencës së tij, me një gjatësi themelesh 57 metrash në malin e Dajtit. Ai vazhdon të mbrojë gënjeshtrën e tij, se tokën e ka blerë me vlerën qesharake prej 2 dollarë, ndërkohë që asokohe toka aty shitej jo më pak se 30 deri në 40 dollarë. Gojët e liga thonë se e ka blerë thjesht me një mandat”, tha nga selia e PD-së, zëdhënësja Laura Vorpsi.

Top Channel