Ndalohen 10 emigrantë klandestinë

09/03/2013 00:00

Të paktën 10 emigrantë klandestinë janë ndaluar nga policia shqiptare në qytetin e Tepelenës, në përpjekje për të kaluar në vendet fqinje.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave klandestinët e ndaluar janë 5 shtetas sirianë dhe 5 të tjerë marokenë.

Sipas burimeve, ata po ecnin në këmbë kur janë zbuluar nga uniformat blu, të cilat i kanë ndaluar duke i gjetur të pa pajisur me dokumenta.

Burimet shtojnë më tej se dy persona të tjerë, të dy shtetas shqiptarë, janë shpallur në kërkim nën dyshimin se po shoqëronin klandestinët.

Atmosfera luftarake në vendet arabe, në veçanti në Siri, ka bërë që shumë banorë të largohen nga vendi dhe në disa raste të përdorin tranzit Shqipërinë për të kaluar në vende si Greqia, Italia dhe më tej në BE.

Muajin e kaluar, 14 persona, shtetas algjerianë, sirianë dhe tunizianë u kapën nga policia e Gjirokastrës në postobllokun e Ujit të Ftohtë në Tepelenë.

Gjithashtu, në pranga ranë edhe dy shtetas shqiptarë, banorë të fshatit Luzat në Tepelenë, që po bënin shoqërimin e shtetasve të huaj, që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri nëpërmjet kufirit grek.

Policia ishte informuar për praninë e shtetasve të huaj dhe nisi ndjekjen. Policia zbuloi se klandestinët do vinin në Tiranë në këmbim të një pagese prej 600 eurosh secili.

Ata kishin qenë emigrantë në Greqi, por për shkak të papunësisë dhe rritjes së sulmeve ndaj të huajve nga ekstremistët grekë kishin vendosur të largoheshin nga ky vend nëpërmjet Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA