Diplomacia shqiptare në krizë

08/03/2013 00:00

Në një kohë kur qeveria shqiptare paguan miliona dollarë në vit për kompanitë lobuese, misionet zyrtare diplomatike të Shqipërisë edhe në vendet më të fuqishme të botës janë në krizë mbijetese.

Top Channel publikon një dokument zyrtar të ambasadës shqiptare në SHBA, ku zbulohet se ambasada është praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të sigurojë as jetesën e përditshme të diplomatëve e jo më funksionet diplomatike.

Letra, që mban firmën e ambasadorit Gilbert Galanxhi, i drejtohet sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Gazmend Turdiut, por paralelisht ka shkuar për dijeni edhe te kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit i Jashtëm Edmond Panariti.

“Pasi kam analizuar buxhetin e vitit 2013 për ambasadën, mund t’ju them me bindje që në fillim se ky buxhet është fiktiv dhe i parealizueshëm. E thënë ndryshe, është ngecje e përgjegjësisë nga ju tek ambasadori. Është ‘larje duarsh si Ponc Pilati’, në një farë mënyre duke na thënë: ‘këto fonde keni, vrafshi veten tani atje ku jeni’”, shkruan ambasadori shqiptar në SHBA.

Më tej kreu i misionit diplomatik në Uashington vijon të denoncojë me tone të forta situatën, gati të turpshme të ambasadës shqiptare në shtetin më të fuqishëm të botës.

“Ju kujtoj se Ambasada në Uashington DC, një nga ambasadat më të rëndësishme të shtetit shqiptar, është lënë pa shofer, pa sekretarë teknikë dhe pa pastruese. Besoj se do të mbetet rast unikal që një ambasadë në Uashington nuk ka shofer”, vijon letra.

“Në mënyrë të pakuptueshme, politikisht e diplomatikisht të pajustifikuar, ‘është vënë karroca përpara kalit’. Fatkeqësisht është harruar fare se pse kemi ambasadë në SHBA. ??? për të paguar faturat e detyrueshme (edhe për këto, veprimet arithmetikore nuk dalin) ??? apo për të punuar e përfaqësuar interesat e Shqipërisë në SHBA? Praktikisht, ambasadat janë kthyer në funksion të zgjidhjes së “halleve” tuaja apo të Drejtorisë së Financës, kur duhet të jetë krejtësisht e kundërta”, shton ambasadori Galanxhi.

Në buxhetin e vitit 2013 qeveria shqiptare ka parashikuar 176 mijë dollarë për qeratë e ambasadës në SHBA. Por, siç zbulon letra, pagesat faktike për qeranë e zyrave dhe banesës së ambasadorit dhe tre diplomatëve janë 15 mijë e 437 dollarë në muaj.

Kjo do të thotë se kostoja faktike vjetore e qerave është 185 mijë dollarë, ose mbi 9 mijë dollarë më shumë se fondi i akorduar nga qeveria. Në këtë pikë, ambasadori Galanxhi pyet në letër:

“Mungojnë përafërsisht 9.250 USD Nga t’i gjejë ambasadori të cilin e ngarkoni me përgjegjësi ligjore për tejkalim të buxhetit? Mos vallë duhet të hapim ekonomi ndihmëse???”.

Prej dy vjetësh ndërtesa e ambasadës shqiptare në SHBA qëndron e mbyllur për rikonstruksion. Por edhe pse afati i lejes së rikonstruksionit që kanë dhënë autoritetet amerikane po skadon, qeveria ende nuk ka kontraktuar kompaninë për të nisur punimet.

Për dietat dhe udhëtimet buxheti vjetor i ambsadës është 2.500 dollarë, ndërkohë që shpenzimet faktike vetëm për dy muajt e parë të vitit kanë qenë 2.488 dollarë.

Ambasadori zbulon se i mbeten vetëm 12 dollarë, me të cilat duhet të mbulojë lëvizjet në SHBA për 9 muajt e mbetur të vitit, të ndjekë aktivitetet vjetore të Protokollit të Shtetit dhe të Shtëpisë së Bardhë, për shoqërimin e presidentit apo kryeministrit në Nju Jork, si dhe për vizitat dypalëshe reciproke të mundshme, pa përmendur faktin që gjatë kësaj kohe i duhet të paraqesë edhe kredencialet në Republikën Domenikane.

Situata dramatike financiare e ka detyruar ambasadën të mos kryejë as kontrollin e detyrueshëm vjetor për tre makinat e saj. “Makina nr. 1 dhe makina nr. 2 kanë nga një fener të thyer, të cilat nuk mund t’i zëvendësojmë se kushtojnë 1.600 dollarë me çmimin më të lirë. Mundohemi të shmangim në maksimum lëvizjet natën, që të mos gjobitemi”, shkruan ambasadori.

Më tej letra zbulon të tjera fakte tronditëse, mes të cilave edhe atë se përtej detyrimeve të papaguara ndaj biznesit vendas, qeveria shqiptare është bërë borxhlie e keqe edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

“Ju dhe Drejtoria e Financës duhet të zgjidhni “hallet” e ambasadave duke ofruar alternativa të logjikshme dhe, më kryesorja, të realizueshme. Nuk mendoj se është zgjidhje alternativa që më dhatë vitin e kaluar, që ‘të mos paguaj qeratë në dhjetor se s’ka para’ dhe ‘turpin le ta mbajë qeveria’. Më thoni, ky ‘udhëzim’ mbetet i vlefshëm edhe për vitin 2013???”, pyet ambasadori.

Pas analizës së detajuar të buxhetit, në fund ambasadori Galanxhi, me tone ironike, i drejtohet sekretarit të përgjishëm Turdiu me një kërkesë dëshpëruese:

“Ju lutem më autorizoni me shkrim, z. Sekretar i Përgjithshëm, që të mos dal nga zyra, ose më saktë, të mos dal nga rezidenca, pasi në jetën reale, me minus një mijë dollarë, nuk mund të bëhet asgjë”.

Qeveria financon kompanitë seksere

Por, teksa diplomacia zyrtare e Shqipërisë vuan krizë mbijetese, një tjetër diplomaci, ajo seksere po lulëzon me paratë e buxhetit. Qeveria shqiptare paguan me paratë e qytetarëve dy kompani për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Të dyja kompanitë, tashmë të njohura për publikun, “Podesta” dhe “Patton Bogs” kanë marrë nga buxheti i shtetit vetëm për vitin e fundit 1 milion e 520 mijë dollarë, sipas dy marrëveshjeve respektive.

Vetëm vlera e këtyre dy kontratave është sa 7.1 për qind e totalit të buxhetit që merr Ministria e Jashtme, ose më shumë se 10 për qind e të gjitha fondeve që qeveria paguan për të mbajtur në këmbë gjithë shërbimin diplomatik të Shqipërisë anembanë botës.

Nëse krahasohet me buxhetin që merr ambasada në krizë që Shqipëria ka në SHBA, fatura e dy kompanive është disa herë më e lartë. Por 1.5 milionë dollarët që i janë paguar kompanive “Podesta” dhe “Patton Bogs” i përkasin vetëm vitit të fundit, pasi që pas vitit 2008 këto dy kompani kanë përfituar miliona dollarë nga buxheti i shtetit.

Shërbimi diplomatik shqiptar është në krizë, ndërsa buxheti paguan miliona dollarë për kompanitë lobuese, të cilat bëjnë makiazhin diplomatik të qeverisë në Uashington. Vetëm pak javë më parë qeveria pagoi 800 mijë dollarë për një kontratë me kompaninë “Patton Bogs”.

Sipas marrëveshjes, me ngjyrime të forta politike, mes të tjerash “Patton Bogs” angazhohet që në vititn 2013 të lobojë në sallonet e politikës amerikane për qeverinë shqiptare, të sigurojë intervista pozitive të zyrtarëve shqiptarë në mediat amerikane, t’i trajnojë ata për këto intervista, të ndërhyjë në media përpara se ato të publikojnë lajme kritike për qeverinë, si edhe të sigurojë studime pozitive për arritjet e qeverisë nga universitetet dhe institutet më në zë të Amerikës. Në terma financiarë, diplomacia seksere ia ka kaluar shërbimit zyrtar diplomatik.

Teksa ambasada në Uashington nuk ka para për të paguar sigurimet e punonjësve, qeranë e diplomatëve apo dhe fenerat dhe karburantin e automjeteve, dy kompani lobimi thithin nga buxheti 1.5 milionë dollarë, plus qindra mijëra dollarë të tjera shpenzime, të cilat edhe këto u paguhen me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Top Channel