Pas alarmit të aflatoksinës në qumësht, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar Institutin e Shëndetit Publik, dhe drejtoritë e saj nëpër rrethe, të marrin mostra dhe të analizojnë në mënyrë të vazhdueshme nënproduktet e qumështit, si djathi, kosi, gjiza e gjalpi, por edhe  mishin e nënproduktet e tij.

“Jo për të marrë përgjegjësitë e institucioneve të tjera, siç është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përkundrazi për të ndarë përgjegjshmëritë, që kanë të bëjnë me shëndetin e konsumatorit. Ministri i Shëndetësisë ka urdhëruar Institutin e Shëndetit Publik dhe drejtoritë e saj, për të bërë një studim më të gjerë, për sigurinë e produkteve dhe nënprodukteve ushqimore, qofshin të qumështit apo të mishit, në favor të sigurisë së shëndetit të konsumatorëve. Është urdhëruar të rriten kapacitetet e laboratorëve përkatëse, për të mundësuar analizat rutinë të produkteve ushqimore”, tha Pëllumb Pipero.

Pipero sqaron se, këto analiza janë bërë nga laboratorët e institucioneve shëndetësore, vetëm në rastin e shpërthimeve epidemike apo helmimeve në masë, pasi është përgjegjësi ligjore e AKU.

“Ne kemi infrastrukturën e nevojshme për të gjitha laboratorët për të analizuar dhe furnizimin ritmik me kite dhe ragem, në mënyrë që në çdo kohë të kemi mundësinë për të analizuar. Ne sapo kemi filluar një studim epidemologjik edhe për aflatoksinën në rang vendi, por do të shtrihet përtej qumështit dhe nënprodukteve të tij, duke përfshirë edhe mishin e produkte të tjera. Është një përgjegjësi jo e munguar, por shtuar dhe e rivlerësuar e Ministrisë së Shëndetësisë” shtoi Pipero.

Aflatoksina, e cila merret nga ushqimi i kafshëve, transmetohet jo vetëm te qumështi e mishi, por edhe te nënproduktet e tyre. Ndërkohë që, aflatoksina gjendet edhe te drithërat, me të cilat gatuhet buka.

Top Channel