Bonnie Tylor në “Eurovision”

07/03/2013 16:00

Këngëtarja uellsiane e muzikës pop, Bonnie Tyler, u konfirmua si përfaqësuesja e Britanisë së Madhe në “Eurovision 2013”.

61-vjeçare, e njohur mbi të gjitha për hitin e saj “Total Eclipse of the Heart” (“Eklipsi i plotë i zemrës”) në vitin 1983, u shpreh “veçanërisht e nderuar” nga detyra e ngarkuar.

”Premtoj se do të jap gjithçka kam për Britaninë tonë. Jam veçanërisht e nderuar dhe emocionuar për shansin që më është dhënë për të përfaqësues vendin tim në Eurovision, sidomos me një këngë kaq të fuqishme si “Believe in Me””, theksoi Tyler në një deklaratë.

Në mungesë të një festivali kombëtar, nga i cili përzgjidhet fituesi, në Britani, seleksionimi i një këngëtari për të dërguar në Festivalin Europian të Muzikës i besohet një jurie.

Bonnie do të këndojë këngën “Believe in Me” (“Beso tek unë”), përpara rreth 120 milionë teleshikuesve në Malmo, Suedi, në datën 18 maj.

Teksti i këngës britanike të edicionit të 58-të të Eurovision-it u shkrua nga amerikani Desmonc Child, i njohur për bashkëpunimet që ka pasur me Bon Jovin, Kiss dhe Ricky Martin, për të cilin ka shkruar dy hitet e tij “Livin’ la Vida Loca” dhe “She Bangs”.

Britania ka marrë pjesë në çdo edicion që prej vitit 1959 dhe ka fituar Eurovision-in në pesë raste. Megjithatë, pjesëmarrjet e fundit të vendit kanë qenë zhgënjyese, sidomos në vitin 2003, kur grupi “Jemini” hyri në histori si i pari në natën finale, që nuk mori asnjë pikë të vetme nga votimet që vijnë nga çdo shtet europian.

Top Channel