Jorgo Papingji, mësuesi i fizikës që ka pasion poezinë

06/03/2013 19:15

Është autori i 4200 teksteve të këngëve që janë pëlqyer e kënduar në breza. E njohim si poetin e vargjeve në këngë hite të festivaleve të fëmijëve të këngës së lehtë, popullore dhe moderne.

Të shkruarit është pasioni i jetës së tij, pasi Mjeshtri i Madh Jorgo Papangji për 44 vite me radhë ka qenë mësues fizike në 13 shkolla të ndryshme të rrethit të Tiranës. Sado që mund të duken shumë larg njëra-tjetrës për të kanë qenë bashkëudhëtare të pandara nga të cilat nuk do të hiqte dorë.

“Fizika është një shkencë e bukur që hyn në të gjitha aspektet e jetës. Është zbërthimi dhe shpjegimi i ligjeve harmonike të natyrës. Nëqoftëse nuk ka ritëm dhe saktësi në poezi, diçka stonon dhe unë i kam ndjekur rregullat e muzikës duke u nisur nga fizika”, shprehet Papingji.

E nëse mësuesia ka qenë profesion, të shkruarin nuk e quan dot të tillë: “Mësuesia ka qenë një periudhë e bukur, interesante dhe më ka zhvilluar psikologjikisht. Tani që e kam lënë arsimin, mendoj se kam qenë mësues i mirë edhe pse i shtrënguar në notë.”

Ja një histori interesante nga koha kur ka qenë mësues: “Kur isha mësues në Ndroq, një ditë bie borë. Ky ishte rast i rrallë në Ndroq. Kur shkoj në shkollë, nxënësit ishin duke luajtur jashtë dhe sa më panë mua u stepën. Duke parë këtë, unë bëra një top bore dhe i gjuajta njërit prej tyre. Nxënësit aq deshën dhe nisën sërish të luanin duke krijuar një atmosferë shumë të bukur.”

Një episod ky i cili u kthye në këngë si shumë të tjerë: “Të gjitha lojërat që bënin fëmijët, unë doja t’i zbuloja kuptimin. I studioja.”

Këto janë gjërat të cilat i mungojnë tani që u bënë 5 vjet që ka dalë në pension. Por, me fëmijët vazhdon të punojë sërish për tekstet e këngëve të tyre.

Frymëzimi mund të vijë kudo. Për këtë ai është i përgatitur dhe mban me vete gjithmonë laps dhe letër: “Kudo që dalloj një gjë që më frymëzon, unë nxjerr letrat që mbaj gjithmonë në xhep dhe shkruaj. Shkruaj kudo ku më kap frymëzimi dhe më mjafton vetëm një mbështetëse: çantë, makinë etj.”

Nuk i numëron më tekstet e këngëve, nuk dëshiron të botojë një përmbledhje të të gjithave së bashku sepse për të janë në duart e publikut në CD e 74 këngëtarëve me të cilët ka bashkëpunuar. Dhe do të vazhdojë t’i kushtohet me kohë të plotë pasionit të tij.

Top Channel