Talenti i një të burgosuri

05/03/2013 17:30

“Arti i flet të gjitha gjuhët, pa barriera” do të thoshte Pablo Picaso, teksa pyetej për zbërthimin e pikturave të tij.

Në fakt, piktori i mirënjohur spanjoll i referohej njerëzve të lirë, ku imagjinata nuk ka kufinj e koncepti “hapësirë e lirë” as që mund të mendohet ndryshe. Por, a mund të bëhet art kur je i privuar nga liria? Sa të “kalueshëm” janë hekurat e burgut për imagjinatën?

Ilia Xoxe është një 39-vjeçar nga Berati, i cili në një moment të jetës gaboi. Ai është dënuar me 11 vjet heqje lirie për “trafik të lëndëve narkotike”, dënim të cilin aktualisht e kryen pas hekurave të ftohtë të burgut të Vaqarrit.

Nuk është krenar për të shkuarën, por ka zbuluar pasionin për pikturën duke ndihmuar ekonomikisht familjen. Paçka situatës, babai i një djali 10 vjeç e një vajze 3 vjeçe, nuk u mbyll në vetvete. Ai gjeti ngjyrat për të shprehur mallin ndaj dy fëmijëve që mezi pret t’i takojë. 6 muaj më parë Ilia humbi gruan nga një sëmundje e rëndë. Hekurat ishin të pakalueshëm, me shpirt do donte të ishte me të në ditët e fundit, por e kishte të pamundur.
 
“Më ka mbetur edhe një pjesë e dënimit dhe shpresoj në një amnisti që të bashkohem me fëmijët. Gruaja më ka lënë, por falë Zotit kam dy fëmijët”, thekson Ilia.
 
Sot, fëmijët e Ilias qëndrojnë me prindërit e nuses së ndjerë, në pritje të përfundimit të dënimit. Nuk ka sekondë që nuk mendon për ta teksa numëron me ankth ditët për të përfunduar dënimin. Edhe pse burgu nuk  është vend normal për penelin dhe tablotë, ngjyrat mundën të mbajnë të ndezur shpirtin e një njeriu, i cili falë artit është i lirë.

Edmondi, është një tjetër i dënuar i apasionuar pas veprave të artit. Ai ndërton anije druri dhe korniza me mermer: “Na kanë krijuar kushtet për të punuar me materiale të ndryshme. Unë bëj shumë punime për të shtyrë kohën. Me raste shes, por më shumë punoj për shoqërinë dhe për të njohurit.”

Ata janë “të lirë” pas hekurave. Arti ka qenë shpëtimtari i shpirtrave të tyre të burgosur. Të gjithë pohojnë se nëse do e kthenin kohën mbrapsht, do mendoheshin dy herë për atë që kanë bërë.
 
Arti në burg rehabiliton të dënuarit

Psikologët mendojnë se arti në burg ndikon në rehabilitimin e të burgosurve për ta kaluar më lehtë kohën e kryerjes së dënimit. Për disa prej tyre, piktura veçanërisht është një kujtesë e botës që ata kanë lënë jashtë, ndërsa studime të tjera pohojnë që arti në burg ndihmojnë njerëzit e dënuar të shtojnë respektin ndaj vetes.

Denis Sobin, kryetar i Fondacionit të të Burgosurve në SHBA, ka qenë për 12 vjet një i burgosur. Ai themeloi Fondacionin e të Burgosurve ndërsa ishte ende prapa hekurave. Denisi thotë se përveç natyrës e peisazheve, ka edhe tema të tjera që lëvrojnë të burgosurit në piktura. Sipas tij, këta njerëz duan të jenë me familjet e tyre ndaj pikturojnë skena familjare apo skena festash me fëmijët e tyre. Disa të tjerë janë shumë të zemëruar me përvojën e burgut dhe tek pikturat e tyre ndjehet qartë ndjenja e protestës ndaj realitetit të ashpër të jetës në burg.Shumica pikturojnë ose vizatojnë në copa kartoni, por nganjëherë ata përdorin edhe mjete të tjera.

Brian Driggers u lirua nga një burg amerikan pak kohë më parë. Gjatë kohës së denimit prej 8 vitesh, ai krijoi një seri veprash arti. Disa prej punimeve të tij janë në Muzeun e Krimit dhe Ndëshkimit në Uashington. Ai përdori një stilolaps apo pastel sepse penelat nuk lejoheshin në sistemin penitenciar. Driggers e bëri penelin me flokët e tij. Preu një tufë flokësh, i lidhi me fijen që përdorte për pastrimin e dhëmbëve dhe më pas e vendosi në një stilolaps bosh.

I burgosuri Brian Cole e gjen frymëzimin nga librat e vjetër komikë. Një pjesë e vogël e veprave të artit vjen nga gratë e burgosura. Rona Bayer, e cila është në burgun e Floridës, ka shkruar prapa njërës prej pikturave të saj: “Kjo pikturë më lejon të dal jashtë hapësirës së qelisë. E pëlqej këtë pikturë sepse është shumë paqësore”.

Disa prej punimeve në qeli janë shitur edhe nëpër rrugë. Ling Lou nga Kina thotë se programet e artit nuk ekzistojnë në burgjet e vendit të tij. Ai mendon se arti në burg është ide e mirë dhe se një i dënuar është më i qetë shpirtërisht nëse merret me art.”

Top Channel