Elbasan, rruga për 15 mijë banorë

03/03/2013 09:20

Banorët e komunave Grekan, Kajan dhe Kozarë, në Qarkun e Elbasanit, prej vitesh e kanë patur të vështirë të dalin në rrugët nacionale për shkak të mungeses së rrugëve.

Në prani të Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami dhe nënkryetarit të Kuvendit, Ardian Turku, drejtuesit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë bërë inagurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës së re, 13. 5 kilometra që do të shërbejë edhe për daljen në treg të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

” Rruga do të ketë infrastrukturën e nevojshme, me trotuare dhe ndriçim në pjesët e banuara dhe do të jetë pjesë e një vazhdimësie, duke u kombinuar me një investim tjetër që fillon nga qarku i Beratit dhe Fierit, duke formuar një unazë me rrugët e Kozarës dhe Fier Sheganit. Ky investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit do t’i shërbejë tre komunave, Kajanit, Grekanit dhe Kozarës, duke bërë që të përfitojnë 15 mijë banorë të zonës”, deklaroi drejtori i FSHZH-së, Benet Beci.

Rruge do të shkurtojë kohën e udhëtimit tre herë krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të saj. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një tjetër përfitim real për banorët e këtyre komunave.

Top Channel