AK dënon dhunën në Maqedoni

03/03/2013 00:00

Aleanca Kuqezi reagon kundër dhunës së ushtruar në Shkup ndaj shqiptarëve nga grupe huligane maqedonasish, të cilët nuk kanë kursyer as fëmijët e vegjël, ndërsa qeveria nuk mori asnjë masë për parandalimin e dhunës, madje duke e inkurajuar në këtë mënyrë më shumë atë.

Lisen Bashkurti, sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i AK-së, theksoi: “Përballë kësaj situate në përshkallëzim, qeveria Gruevski nuk demonstroi as aftësi dhe as vullnet, duke inkurajuar me qëndrimin e saj urrejtjen ndëretnike në vend. Qarqe të dukshme dhe të padukshme, të brendshme dhe rajonale kanë synim shkatërrimin e Maqedonisë. Cënimi i marrëdhënieve ndër-etnike shqiptaro-maqedone është pjesë e këtij skenari”.

Për Aleancën KuqeZi, mungesa e respektimit të të drejtave dhe lirive të shiptarëve në Maqedoni vjen edhe si pasojë e përçarjes politike mes faktorit shqiptar në këtë vend: “Aleanca Kuqezi i bën me dije gjithashtu faktorëve politikë shqiptarë që të jenë më aktivë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të tyre. Pasiviteti, moskoordinimi dhe përçarjet politike midis faktorëve kryesorë politikë shqiptarë në Maqedoni kanë pasur ndikimin e tyre negativ në mosrespeketimin e lirive dhe te drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni’.

Aleanca Kuqezi u kërkoi faktorëve politikë shqiptarë dhe maqedonas të zgjidhin krizën duke u mbështetur në parimet e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa faktorit ndërkombëtar të ketë vëmendje të rritur ndaj zhvillimeve të brendshme në Maqedoni. Shkak për shpërthimin e dhunës ndaj shqiptarëve në Shkup ishte emërimi i Talat Xhaferrit në krye të Ministrisë maqedonase të Mbrojtjes.

Ekstremistët maqedonas protestuan kundër këtij emërimi pasi sipas tyre, Talat Xhaferri ka qenë komandant i ‘Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare’. Pas protestës, para selisë së kësaj ministrie, ata kanë sulmuar banorë me etni shqiptare në rrugët e Shkupit. Dhjetëra prej tyre, përfshirë të mitur, u rrahën nga një grup prej rreth 200 maqedonasish, ndërkohë që dy prej tyre u  shtruan në gjendje të rëndë në spital.

Top Channel