Dritan Lamaj hetoi vëllezërit Frroku

01/03/2013 00:00

Ish-shefi i Komisariatit të Kombinatit, Dritan Lamaj, i cili u ekzekutua
pasditen e 24 shkurtit pranë banesës së tij, ka hetuar vëllezërit Mark
dhe Arben Frroku për një vrasje të ndodhur në Belgjikë. Bëhet fjalë për
një ngjarje të ndodhur rreth 17 vjet më parë, kur Arben Frroku, i
dyshuar për ekzekutimin e Lamajt dhe i arrestuar në Selanik të Greqisë,
ishte vetëm 27 vjeç.

Për këtë vrasje, Lamaj kishte mbledhur informacion se ishte kryer për larje hesapesh në trafikun e drogës dhe të dyshuarit kryesorë ishin dy vëllezërit, biznesmenë të suksesshëm në Shqipëri.

Duke mbuluar zonën e Kombinatit, mësohet se kryekomisar Dritan Lamajt i ishin servirur informacione të shumta për aktivitetin e dy vëllezërve, duke bërë që ai, si punonjës policie, i cili kishte drejtuar më parë edhe hetimin e krimeve, të hetonte edhe më tej, megjithëse detyra aktuale, ishte që të siguronte rendin dhe të parandalonte krimin në këtë zonë. Sipas të dhënave, i ndjeri mësohet se kishte mbledhur informacion se dy vëllezërit, Arben Preng Frroku, aktualisht 44 vjeç dhe Mark Preng Frroku, 41 vjeç, kishin emigruar jashtë vendit deri në vitet 2000. Në këtë vit, sipas informacioneve të mbledhura nga Lamaj, ata ishin kthyer në Shqipëri dhe i kishin hyrë biznesit. Gjatë kohës së qëndrimit jashtë vendit, nga informacionet e kryekomisarit të ndjerë dyshohet se në vitet 1995 dhe 1996, dy vëllezërit kanë jetuar në Belgjikë. “Por, ata u janë prezantuar autoriteteve belge si shtetas nga Kosova, ku Arben Frroku dyshohet se është prezantuar me emrin Liman Krasniqi, ndërkohë që vëllai i tij është prezantuar me emrin Azem Krasniqi. Në vitet e lartpërmendura, këta persona dyshohet të kenë kryer një vrasje në Bruksel dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet e Belgjikës me emrat e shtetasve nga Kosova, përkatësisht Liman Krasniqi dhe Azem Krasniqi”, thuhet në materialin e mbledhur nga ish-shefi i Komisariatit Nr. 6.

Madje, ai shton se vrasja e personit në këto vite, të cilit nuk i është përmendur emri, të ketë ndodhur për konflikte të krijuara në trafikun e drogës nga disa të afërm të Arben Frrokut. Informacionet e kryekomisarit flisnin se të afërmit e Arben Frrokut merreshin me trafikun e drogës në shtete të ndryshme, duke mos lënë jashtë territorit edhe Shqipërinë. Këto dyshime janë konfirmuar edhe nga burime të tjera të policisë, të cilat shprehen se janë marrë në rrugë të ndryshme, ndërkohë që ndaj Frrokut pritet që shumë shpejt të fillojë edhe zbatimi i ligjit antimafie, për pastrim parash. Ndërkohë, burimet zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohuan për gazetën “Shqip” se “hetimi për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt do të kryhet i plotë, pasi informacionet flasin se është për shkak të detyrës”. Të pyetur nëse ka një informacion të tillë, burimet pohuan se “jemi në verifikim të këtij informacioni”. Ata kanë lënë të kuptohet se shumë shpejt, sektori “antimafia” në këtë prokurori, do të kryejë një hetim financiar të të dyshuarve për vrasjen e Lamajt, pasi indikacionet të çojnë se ata janë të përfshirë në një grup që trafikonte drogë. Nga burime të besueshme mësohet se ish-shefi i komisariatit i kishte mësuar këto informacione për dy vëllezërit që para nisjes së konflikteve mes dy palëve, ndërkohë që kishte vijuar hetimet deri në momentin, kur e kishin larguar nga Komisariati i Kombinatit.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në pyetje familjarët e kryekomisarit Dritan Lamaj për të gjitha dyshimet që mund të kenë vetë ata për ekzekutimin mafioz të tij për shkak të detyrës. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, fillimisht janë thirrur personat më të afërt të Dritan Lamajt, me të cilët ai mund të ketë diskutuar çështjen e kërcënimeve apo të konflikteve të ndryshme që ka pasur për detyrën, ndërkohë që më pas pritet të merren në pyetje edhe persona të tjerë, që mund të kenë dijeni për dyshimet e të ndjerit. Megjithatë, prokuroria nuk ka konfirmuar nëse është marrë në pyetje bashkëshortja e Lamajt, e cila është në gjendje më të rënduar, edhe për shkak të sëmundjes së saj, pasi pritet që të operohet në muajin mars. Në lidhje me dëshmitë e dhëna në prokurori, grupi hetimor nuk ka dhënë detaje, megjithëse mësohet se janë mbledhur detaje të shumta për kërcënimet e ndryshme që ka pasur Lamaj gjatë ushtrimit të detyrës si shefi i Komisariatit Nr. 6 në zonën e Kombinatit. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ka informacione se dy të dyshuarit kryesorë të kësaj vrasjeje e kanë kërcënuar 41-vjeçarin Lamaj kohë më parë, duke i thënë se “do të vrasim vajzën e vogël dhe motrën”. Gjithçka ka ndodhur në ambientet e Komisariatit Nr. 6, ku Lamaj kishte bërë shoqërimin e tyre, në sajë të konflikteve që kishin lindur mes tyre. Një deklaratë e tillë mjaft e guximshme, e bërë nga Arben Frroku dhe i afërmi i tij, Vlash Gjoni, mësohet se e ka tensionuar Lamajn, i cili u ka thënë se nuk kanë asnjë punë me njerëzit e familjes së tij, pasi ata nuk kishin përse të përfshiheshin në konfliktet e tyre. “Nëse doni që të hakmerreni, shumë mirë mund të më vrisni mua. Lërini të qetë ata!”, mësohet se u ka thënë kryekomisari të arrestuarve. Këto të dhëna po verifikohen aktualisht nga prokuroria, për të cilat janë thirrur edhe familjarët e të ndjerit. Por, pavarësisht se vrasja ka qenë e paralajmëruar kohë më parë, nuk është bërë asgjë për parandalimin e saj. Të njëjtat burime konfirmojnë se i ndjeri e ka ngritur problemin tek eprorët e tij, por këta të fundit janë mjaftuar duke bërë largimin e tij nga drejtimi i Komisariatit të Kombinatit dhe punësimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel