Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore lëshon alarmin se miniera e
Bulqizës po shkon drejt mbylljes. Top Channel zotëron një dokument
konfidencial të hartuar mbi bazën e një kontrolli nga ekspertë të
Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, i cili thotë se miniera tashmë
ka dhe vetëm një vit jetë.

Sipas raportit të hartuar nga Panajot Soko, Luan Dibra, Mark Pepkola, Bajram Kullaj dhe Ardit Islami, sasia e rezervave të nxjerrshme të kromit në minierë është vetëm 70 mijë e 370 tonë, më pak se prodhimi vjetor i saj në kushte normale.

Raport kontrolli mban datën 20 nëntor të vitit 2012 dhe i është dërguar ministrit të ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës, Edmond Haxhinasto. Parlajmërimet se shfrytëzimi barbar i minierës po e conte atë, drejt fundit tragjik tashmë është materializuar. Mosrealizimi i investimeve, veçanërisht ato për hapjen e thellësisë së minierës nga darfo dhe acr për zgjatjen e jetës së saj, degradoi një nga pasuritë më të mëdha publike të vendit. Në këtë situatë, vec dëmit të pallogaritshëm për ekonominë kombëtare, rrezikohet edhe ekzistenca e qytetit të Bulqizës, familjet e të cilit e kanë minierën burimin e vetëm të jetesës.

Shkatërrimi i pasurisë kombëtare

Rreziku evident i mbylljes së minierës është akti i fundit i një skeme dhjetëvjecare abuzimi, e cila nis me shfrytëzimin e jashtëligjshëm të kromit, nga ku u nxorrën fitime maksimale dhe përfundon me braktisjen e saj.
Një skemë e orkestruar nga koncesionarët privat, por me bekimin e vetë Qeverisë, e cila përmes vendimeve të dyshimta lejoi shfrytëzimin barbar të rezervave të kromit. Top Channel nisi të denonconte abuzimet që në vitin 2009, kur ish ministri i ekonomisë genc ruli shtyu me një vendim të dyshimtë programin e investimeve në marrëveshjen koncesionare pa marrë miratimin e Kuvendit.

Mbi 13 milionë euro investime, që duhet të ishin realizuar në vitin 2009 u shtynë me firmën e Rulit deri në vitin 2012. Këto para duhej të përdoreshin për hapjen e  thellësisë së minierës që duhej të rriste me 30 vjet të tjera jetëgjatësinë e saj.

Por edhe pas kësaj shtyrje të dyshimtë ligjore me tre vjet të afatit, investimet sërish nuk u realizuan nga koncesionari ‘Albanian Chrome’. Përgjatë kësaj kohe shumë ekspertë të fushës kanë lëshuar alarmin se miniera po shkonte drejt fundi të pashmangshëm tragjik. Kohët e fundit zërave u janë bashkuar edhe figura të maxhorancës që përfaqësojnë zonën e Bulqizës në Parlament. Vetë Qeveria përmes Ministrisë së Ekonomisë, si mbikqyrëse e koncesionit ka qenë në dijeni të abuzimeve.

Top Channel zbardh një tjetër dokument zyrtar të AKBN, i cili mban datën korrik 2011, ku thuhet se shoqëria koncesionare ka ulur ndjeshëm interesin për të investuar në minierë dhe për të zgjatur jetën e saj. Sërish autoritetet nuk morrën asnjë masë ndaj koncesionarit. Përkundrazi, pak javë më parë ACR, edhe pse ishte në shkelje të hapur të marrëveshjes koncesionare, u lejua ta shiste koncesionin tek grupi ‘Balfin’, një shoqëri në pronësi të biznesmenit Zamir Mane. Detajet e transaksionit nuk u bënë publike asnjëherë, ndonëse bëhej fjalë për pasurinë më të madhe minierare në vend. Për shumë ekspertë transaksioni, përvecse i jashtëligjshëm është i dyshimtë dhe qëllimi i tij mund të mos jetë zhvillimi në minierë, por rekuperimi i detyrimeve të prapambetura që tatimet kanë ndaj ACR për TVSH-në e parimbursuar, e cila të paktën deri në mesin e vitit të kaluar ka qenë rreth 9.5 milionë euro.

Top Channel