Rriten eksportet në janar

26/02/2013 00:00

Të dhënat e para zyrtare të këtij viti japin një situatë optimiste për tregtinë me jashtë, vecanërisht në krahun e eksporteve.

Ndonëse mbulojnë vetëm një periudhë një mujore, e pamjaftueshme për t’u konsideruar si prirje, shifrat tregojnë se në janar eksportet shqiptare kërcyen me 34.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT, rritja e fortë i dedikohet kryesisht bumit në eksportet e grupit minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike, që janë rritur gati dyfish.

Paralelisht me këtë zë rritje ka edhe në eksportet e fasonit me 12 për qind dhe materialeve të ndërtimit me 21 për qind. Por në kahun e importeve  tendenca është e kundërt. Sipas INSTAT edhe në janar importet kanë vazhduar prirjen dyvjeçare rënese, madje këtë herë me ritme më të larta se vitin e kaluar.

Të dhënat tregojnë se në vlerë importet ishin 8 për qind më pak se janarin e vitit të kaluar duke paralajmëruar rënie të mëtejshme të konsumit në tregun e brendshëm. Por veç mallrave të konsumit, rënie të importeve ka edhe tek zëri i makinerive dhe pajisjeve, të cilat janë treguesi kryesor i ecurisë së investimeve.  

Hezitimi i biznesit për të investuar, mund të lidhet edhe me ngërçin që është krijuar nga politika fiskale e Qeverisë. Në dhjetor të vitit të kaluar Parlamenti miratoi disa masa lehtësuese, që kishin të bënin kryesisht me heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet. Por edhe pse kanë kaluar dy muaj dhe janë trumbetuar disa herë në publik nga Kryeminsitri, këto masa nuk kanë hyrë ende në fuqi, pasi vetë Qeveria po mban peng aktet nënligjore. Kjo ka krijuar një situatë hezitimi në treg, që frenon investimet dhe dëmton rritjen e prodhimit, vecanërisht në një periudhë stresi ekonomik.

Top Channel