Zgjedhjet e përgjithshme në Itali

24/02/2013 00:00

Italianët i drejtohen sot kutive të votimit, në zgjedhjet e përgjithshme të konsideruara si vendimtare për të ardhmen ekonomike të vendit, por edhe për qëndrueshmërinë e Eurozonës.

Sipas sondazheve paraprake, favorit shfaqet koalicioni i majtë i udhëhequr nga Pier Luigi Bersani.

Megjithatë, blloku i ish-kryeministrit Silvio Berlusconi ka një diferencë të vogël dhe gjithashtu shanse për të fituar zgjedhjet.

Koalicionet e kryeministrit Mario Monti dhe partia e komedianit Beppe Grillo, një risi në politikën italiane, nëpërmjet një platforme kundërshtuese dhe ironizuese të liderve aktualë, pritet të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në këto zgjedhje, duke grumbulluar vota të shumta.

Ndërkohë, kundërshtarët e Berlusconit sulmuan tre herë ish-kryeministrin për dhënien e një interviste gjatë së shtunës, pavarësisht heshtjes zgjedhore të imponuar nga ligji.

Këto zgjedhje vijnë në një klimë pesimizmi në Italinë e përfshirë nga probleme të rëndësishme ekonomike. Ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës përballet me një borxh të lartë kombëtar, rënie ekonomike dhe masa të ashpra kursimi.

Këto zgjedhje të përgjithshme janë të parakohshme në Itali, pasi në dhjetor deputetët e bllokut të Berlusconit tërhoqën mbështetjen për qeverinë Monti, duke sjellë rrëzimin e saj.

Pothuajse të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këto votime kanë pranuar nevojën e programeve shtrënguese, për të rishëndoshur financat kombëtare, por ish-kryeministri Berlusconi sfidon këtë logjikë, duke premtuar ulje taksash dhe nxitje të mëtejshme për biznesin, si e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

Kush do të jetë kryeministri i Italisë?
Bersani, Monti apo Berluskoni dhe cilin preferon Europa

Dikur zgjedhjet në Itali ishin të shpeshta e të harrueshme dhe kryeministrat ndërroheshin si rrobat e sezonit të kaluar.

Por gjërat tani janë shumë më ndryshe, thonë analistët. Ajo çfarë ndodh në Itali prek edhe pjesën tjetër të Europës dhe rezultati i votimeve të këtyre dy ditëve mund ta trondisë Eurozonën e t’i kujtojë tregjeve sa pak janë stabilizuar vërtet ekonomitë e kontinentit.

Favoriti për fitore është një ish-komunist i qendrës së majtë, Pier Luigi Bersani. “Zoti normal” e quajnë ndryshe, sepse nuk ka asgjë ekstravagante tek ai, e as pompozitet. Deri diku ka një lloj ngjashmërie mendimi me Francois Hollande.

“Kam ndërmend ta bind Europën se masat antikrizë, të vetme nuk mjaftojnë”, ka thënë për BBC-në.

Bersani nuk beson se politika aktuale europiane, e linjës së ashpër antikrizë Berlin-Bruksel, është e drejtë; më shumë i mëshon idesë për nxitjen e investimeve dhe vendeve të punës, është i angazhuar në reduktimin e defiçitit dhe vazhdimësinë e reformave të nisura nga Mario Monti, flet vazhdimisht për mënyrat se si mund të bëhen më efikase marrëdhëniet mes punonjësve dhe kompanive, por në thelb nuk ka asnjë plan të qenësishëm për zgjidhjen e problemit kryesor të vendit: pak ose aspak rritje ekonomike përgjatë dekadës së fundit.

Ashtu si politikanët e tjerë, edhe Beppe Grillo i hedh sytë nga Europa, kur vjen fjala te rritja ekonomike. “Besoj se në shtetet e bashkuara të Europës, – ka deklaruar ai, – çështja është sa do të jenë në gjendje të krijojnë një koalicion të besueshëm dhe afatgjatë”.

Komediani, i xhindosur me të gjithë institucionet politike të vendit, ishte dhe e veçanta e kësaj fushate zgjedhore, një zë i fortë që ngrihet kundër të korruptuarve.

Pjesëmarrja në tubimet e tij ka qenë aq masive, sa për të mos u nënvlerësuar nga kundërshtarët, të cilët nuk kanë ngurruar ta shënjestrojnë me komente të hidhura: Berluskoni e quan një kërcënim për demokracinë, Bersani e sheh si njeri që mund ta vërë Italinë në rrezik.

Nuk përjashtohet mundësia që Grillo të marrë rreth 20% të votave. Nëse kjo ndodh, atëherë ai do të kthehet në një mediator politik, thotë BBC. Grillo ka premtuar një referendum mbi euron, është i bindur se masat aktuale antikrizë po e shkatërrojnë Italinë, ndërsa ka refuzuar deri tani të përgjigjet nëse do të luante rolin e “kingmaker”-it, apo çfarë kushtesh mund të vendosë për koalicion.

Një votë e rëndësishme pro-Grillos do t’i dërgonte Europës mesazhin e fortë se politikanët e vjetër janë seriozisht të kërcënuar në kohë recesioni dhe papunësie të lartë.

Brukseli dhe Berlini do të donin të shihnin një aleancë të Bersanit dhe Mario Montit, si pjesë të koalicionit qeverisës. Njeriu, që mori frerët e qeverisë pas rrëzimit të Berluskonit, në 2011-tën, është pak tip i rëndë.

Gjatë një fjalimi në Napoli, kur përmendi Montin, Bersani tha se ai nuk del kurrë të takohet me njerëzit nëpër rrugë, por sidoqoftë nuk e përjashtoi mundësinë e përfshirjes së tij në qeverinë e ardhshme.

Problemi i Montit është se përpiqet shumë t’i bindë votuesit se është në anën e italianëve të thjeshtë. Partneriteti i ekonomistit të njohur me Bersanin nuk do të ishte aspak i lehtë, por tregjet e preferojnë si të keqen më të vogël, përballë alternativave të tjera.

Gjermania ka qenë një nga lajtmotivet e kësaj fushate. Pothuajse në çdo miting elektoral është përmendur të paktën nga një herë. Berluskoni paralajmëron kundër një Europe gjermane, e të njëjtën gjë bëjnë edhe socialistët.

Monti pretendon se Angela Merkel nuk e dëshiron një fitore të qendrës së majtë, e disa politikanë gjermanë kanë dalë hapur me qëndrimet kundër një fitoreje të Berluskonit. Italianët i kanë zët të tilla ndërhyrje, dhe këtë nuk ngurrojnë ta shprehin hapur.

Përgjithësisht, atmosfera në vend mbetet shqetësuese dhe e paparashikueshme, ndërsa rezultati i zgjedhjeve vazhdon të konsiderohet i pasigurt. Ajo që mbizotëron është ndjesia e vakumit dhe droja se, mbase shumë shpejt, mund të paraqitet nevoja për zgjedhje të tjera, e kjo, përpos frikës së ekonomisë së tretë më të madhe të Eurozonës, mund t’i kanoset një paralizë e stilit grek.

Fushata në rjetet sociale
Itali, çdo sekondë – dy mesazhe, në faqet e protagonistëve

Për politikanët italianë, këto javët e fundit kane qenë një shpërthim i mirëfilltë pasioni për rrjetet sociale.

Aktivitetet e tyre online, mes postimeve, videove e fotove, janë shtuar jo pak, por plot 5 herë, çka do të thotë se çdo sekondë, në “Facebook” janë shfaqur mesatarisht dy mesazhe të lidhura me faqet e protagonistëve kryesorë, ndërsa në “Twitter” është mbërritur niveli i 480 mesazheve në minutë.

Këtë pretendon të paktën grupi “Ecce/Customer”, i specializuar në analizimin e rrjeteve informatike dhe i konsideruar si një prej më novatorëve në Itali.

Për sa i takon profileve të politikanëve në “Facebook”, jemi te një milionë e 185 mijë postime brenda disa ditësh, apo pak më shumë, shpjegon themeluesi i grupit, Cosimo Palmisano, për “La Republicca”.

Ne “Twitter”, nga ana tjetër, janë kapërcyer 4 milionë e 600 mijë. Po të na duhej t’i ndanim vendet e parlamentit, bazuar tek aktiviteti online, Beppe Grillo do të merrte 56% të deputetëve e senatorëve, ironizon gazeta, duke lënë shumë prapa tij Silvio Berluskonin dhe Niki Vendolën, që nuk marrin më shumë se 9,3% dhe 6,7%.

Lideri i lëvizjes “5 yjet”, e kjo nuk është se u mësua sot, ka një milionë ndjekës kundrejt gjysëm milionit të atyre që preferojnë faqen e Vendolës, apo 400 mijë, sa mbledh Berluskoni.

Por, profili i ish-komedianit në “Facebook”, javën e kaluar, ka qenë më prapa “Twitter”-it për sa i takon mesazheve të përcjella. Ky i fundit është më i shpejtë, ofron një klasifikim ndryshe dhe në krye vendos Pierluigi Bersanin, në vend të dytë Mario Montin dhe të tretin Oscar Giannino-n, që janë përpara Grillos dhe Vendolës.

Nuk ka dyshime, që fushata jonë e parë e vërtetë zgjedhore në rrjetet sociale, shpërtheu, thonë analistë vendas. Një fushatë, ku të gjithë protagonistët kryesorë janë mbi të 60-tat.

Ndoshta është kjo arsyeja, që rrjetet sociale, për disa politikanë, rrezikojnë të kthehen në megafon për t’iu drejtuar jo vetëm zgjedhësve, por edhe televizioneve e gazetave.

Një panoramë shumë e ndryshme, krahasuar me vetëm pak muaj më parë. Nga të dhënat e mbledhura në zgjedhjet e fundit administrative të 2011-tës, rezulton se aktiviteti në profilet e politikanëve ishin fashitur menjëherë pas votimeve, në të paktën 35% të rasteve.

Në 2008-tën, kjo shifër ishte gati 70% dhe përgjithësisht, përpara përdoruesit kufizoheshin me ndonjë koment sporadik. Sot, Beppe Grillo ka një mesatare prej një mesazhi të postuar çdo 19 minuta dhe dhe të tjerët po e ndjekin nga pas, në të njëjtën rrugë.

Mbërrijmë kështu te çështja e dytë, e ndoshta më e rëndësishme, thotë konsulenti Stefano Epifani. Kjo është edhe fushata e parë zgjedhore, që i çel dyert politikës së çastit, asaj që bëhet në dallgën e “like”-ve (pëlqimeve) në “Facebook”, por që mund të jetë edhe e paparashikueshme.

Top Channel