Sulm ajror izraelit pranë një spitali në jug të Libanit, plagosen 13 persona nga stafi mjekësor
Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, ka hedhur poshtë akuzat e Kinës se Japonia po rikthehet drejt militarizmit, duke deklaruar se shqetësimi i vërtetë për sigurinë rajonale dhe globale është zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Pekinit.
Duke folur në Dialogun Shangri-La në Singapor, Koizumi tha se pretendimet për një “militarizëm të ri” japonez janë të pabaza dhe theksoi se Japonia nuk zotëron armë bërthamore apo bombardues strategjikë, ndryshe nga Kina.
“Ekziston një vend që ka një arsenal të madh armësh bërthamore dhe bombarduesish strategjikë. Japonia nuk ka asnjërën nga këto armë. E megjithatë, Japonia etiketohet si e militarizuar. A nuk është e çuditshme?”, deklaroi ai.
Komentet e ministrit japonez erdhën si përgjigje ndaj kritikave të fundit të Pekinit. Javën e kaluar, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, Jiang Bin, paralajmëroi se “rinoceronti gri i një Japonie të rimilitarizuar po merr hov” dhe u bëri thirrje vendeve të tjera të kundërshtojnë atë që ai e quajti neo-militarizëm japonez.
Japonia ka rritur shpenzimet për mbrojtjen për 12 vite radhazi. Buxheti i saj më i fundit ushtarak kap vlerën e mbi 9 trilionë jenëve, ose rreth 57 miliardë dollarë, duke e afruar vendin me objektivin për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
Megjithatë, Tokio këmbëngul se forcimi i kapaciteteve ushtarake synon vetëm mbrojtjen kombëtare dhe ruajtjen e paqes në rajon. Koizumi siguroi se Japonia do të vazhdojë të veprojë me transparencë dhe në dialog të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Top Channel