Rikthehet bashkëpunimi Fox-Bay

23/02/2013 11:50

Aktorja Megan Fox do të bashkëpunojë sërish me regjisorin Michael Bay për të performuar në ripërshtatjen kinematografike të filmit vizatimor të viteve ’90, “Breshkat Ninxha”.

Bashkëpunimi Fox-Bay ishte ndërprerë pasi aktorja, gjatë xhirimeve të “Transformers 3”, e kishte krahasuar regjisorin me ish-liderin nazist Adolf Hitler.

Ditën e enjte, Bay shkroi në faqen e tij të internetit: “Po kthejmë sërish Fox në familjen tonë. Ajo do të luajë gazetaren April O’Neil”.

Filmi, që do të jetë një kombinim aksioni live dhe sekuencash të realizuara me kompjuter, është ende në fazën e zgjedhjes së aktorëve, me 4 breshkat Donatello, Michelangelo, Leonardo dhe Raphael që do të interpretohen nga aktorë të panjohur.

Ai do të shfaqet në sallat e kinemasë në maj të vitit 2014. Fox, e cila vitin e kaluar u bë nënë, aktualisht mund të shihet në komedinë e Judd Apatow, “This is 40”.

Top Channel