Berisha pret shefen e BB për Ballkanin

23/02/2013 14:15

Kryeministri Berisha priti paraditen e së shtunës drejtoreshën e Bankës Botërore për rajonin, Ellen Goldstein.

Gjatë takimit, Berisha ka vlerësuar bashkëpunimin mes vendit tonë dhe institucionit të rëndësishëm financiar, që sipas tij është kurorëzuar përmes shumë projekteve.

“Kaskada e Devollit dhe gazsjellësi Trans Adriatik janë projekte premtuese për punësimin”, është shprehur shefi i ekzekutivit shqiptar, fjalët e të cilit janë mbështetur nga zonja Goldstein.

“Partneriteti i Shqipërisë me Bankën Botërore është mishëruar në shumë projekte. BB mbështet Shqipërinë për sigurimet shoqërore, regjistrin e pronave, etj”, ka thënë Goldstein.

Zyrtarja e Bankës Botërore ndodhet në Tiranë prej disa ditësh. Ditën e premte, ajo njoftoi kushtëzoimin e rritjes së mbështetjes financiare për Shqipërinë me arritjen e një marrëveshje mes saj dhe qeverisë për administrimin e financave publike.

“Ne jemi në diskutime me qeverinë për të dhënë mbështetje financiare, por gjithashtu duhet të arrijmë edhe një marrëveshje të përgjithshme mbi kuadrin makroekonomik të vendit. Ka negociata që po kryhen. Unë besoj se jemi afër një zgjidhjeje dhe kur kjo të ndodhë ne do të jemi të aftë të vazhdojmë përpara me programin e mbështetjes për Shqipërinë”, deklaroi Goldstein.

Ndërsa shefja e zyrës së BB në Tiranë tha se shumë shpejt ky institucion do të dalë edhe me një paketë të hollësishme rekomandimesh për masat që duhen ndërmarrë për të vënë nën kontroll borxhin.

Banka Botërore e konsideron borxhin e lartë publik si një nga rreziqet më të mëdha të ekonomisë shqiptare dhe i ka kërkuar me ngulm qeverisë uljen e tij.

Top Channel