Retorika nacionaliste e muajve të fundit në Shqipëri dhe Kosovë po shqetëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker dhe ish-analisti i CIA-s, David Kanin janë shprehur për “Zërin e Amerikës” të mendimit se kjo nuk është diçka e panjohur dhe po përdoret nga kryeministri Berisha si një manovër përpara zgjedhjeve të qershorit.

Reagimi i Uashingtonit, sipas ish-ambasadorit në NATO, Volker është i shpjegueshëm nëse i referohemi rolit amerikan për të sjellë qëndrueshmëri në Ballkan, për të ndalur konfliktin në Kosovë, apo në mbështetjen që i dha Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.

“Të gjitha këto nuk duhet të rrezikohen nga retorika të tilla”, tha Volker. Duke ndaluar tek komentet e kryeministrit Thaçi, pas ngecjes së liberalizimit të vizave me BE-në, Volker paralajmeron që probleme të tilla të mos përdoren për t’i kthyer shpinën Perëndimit.

“Në Ballkan kemi shtete shumë delikate dhe loja me kufijtë e këtyre vendeve në një moment të tillë, kur nuk ka institucione të forta politike, nuk ka një kulturë të mirëfilltë respekti të ndërsjellë dhe pajtimi ndëretnik, situata mund të acarohet nga retorika të tilla”, shprehet zoti Volker.

Ndërsa David Kanin, ish-zyrtar i CIA-s dhe aktualisht pedagog në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, thotë se përmes deklaratave të tilla kryeministri Berisha kërkon të ruajë pushtetin. Sipas tij, nuk flitet për një univers të njëtrajtshëm shqiptar që mund të bashkohet automatikisht.

“Megjithëse objektivi është afatshkurtër, tronditja do të vazhdojë të ndihet edhe pas zgjedhjeve. Sepse nëse kryeministri Berisha mendon se kjo është mënyra për të siguruar vota tani, ndoshta dikush tjetër do të mendojë të njëjtën gjë më vonë”, paralajmëron analisti Kanin.

Top Channel