Presidenti egjiptian, Mohammed Morsi, ka bërë të ditur datat e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, që do të nisin më 27 prill dhe do të përfundojnë në qershor.
Një dekret presidencial përcakton se votimet duhet të mbahen në 4 faza rajonale, për shkak të mungesës së vëzhguesve zgjedhore.
Morsi dhe lëvizja e tij “Vëllazëria Muslimane” shpresojnë që zgjedhjet t’i japin fund zërave në rritje opozitarë dhe protestave në rrugë, sipas analistëve.
Në dhjetor, u adoptua një kushtetutë e mbështetur te ligjet islamike, pavarësisht se u kritikua shumë për dështimin e mbrojtjes së disa të drejtave themeltare.
Egjipti është thellësisht i ndarë mes mbështetësve islamikë të Morsit dhe opozitës së udhëhequr nga liberalët, gjë që ka çuar në protesta të dhunshme, pasiguri dhe krizë ekonomike.
Dekreti i së enjtes përcakton se votimet do të mbahen sipas këtij plani:
1. Në Kajro dhe 4 provinca të tjera më 27-28 prill, ndërsa balotazhi planifikohet për më 4-5 maj
2. Giza, Alexandria dhe 6 provinca të tjera më 15-16 maj, ndërsa balotazhi planifikohet për më 22-23 maj
3. Tetë provinca të tjera më 2-3 qershor, me balotazhin në 9-10 qershor
4. Gjashtë provinca më 19-20 qershor, me balotazhin në 26-27 qershor.
Asambleja e re Popullore do të ftohet të mblidhet më 6 korrik, sipas dekretit.
Top Channel