Nikolin Gurakuqi: Im bir më “riktheu” në skenë

21/02/2013 18:20

“Për arsye të një drame familjare nuk kam patur kurajon që të dal në publik sepse kam qenë shumë i tronditur.”

Kështu shprehej Nikolin Gurakuqi në emisionin “Pasdite në Top Channel” në muajin nëntor të vitit 2012, por tashmë regjisori është kthyer me operën “Tosca” para publikut shqiptar.

Tenori Leonardo Gramenia shprehet: “Menduam që nuk do ta kalonte momentin e vështirë personal sepse arriti në një pikë dramatike.
Tashmë unë e shoh të rehabilituar si regjisor pas humbjes së djalit të tij që i dha një goditje të rëndë. Ne si staf jemi munduar ta përkrahim dhe të realizonim atë që kishte në mendje.”

Ndërsa bashkëshortja e tij thekson: “Muajt e parë kishte një moral shumë të ulët, por gjithmonë e kam shtyrë që të rikthehej sepse e dija pasionin që ai ka për punën e tij. Më bëhet qejfi që është rikthyer me shfaqje.”

Vetë Nikolin Gurakuqi e sheh kështu rikthimin e tij si regjisor: “Nuk ka qenë e lehtë për tu ringritur pas tragjedisë që më ndodhi. Kaluan muaj që më rëndonin mendjen, por kolektivi i TKOB-së dhe të afërmit më qëndruan pranë që ta kaloja atë fazë të vështirë.”

“Fillova të ndjej mungesën e punës dhe kur po afrohet përvjetori i parë i ndarjes nga jeta të djalit tim gjeta forcat artistike për të vënë në skenë këtë shfaqje”, shtoi Nikolin Gurakuqi.

Sopranoja Eva Golemi tregon se si stafi e ka përjetuar trishtimin dhe gjendjen e regjisorit në prova: “Në prova përjetohej trishtimi, por shfaqja ka dalë shumë bukur dhe të gjithë jemi të kënaqur.”

“Shoh që puna i ka bërë shumë mirë sepse ka ndërprerë ilaçet dhe nëse ka një ditë pushim ai bie”, shpjegon bashkëshortja e regjisorit.

Top Channel