Harrison Ford rikthehet në “Star Wars”?

21/02/2013 00:00

Aktori Harrison Ford, sot në moshën 70-vjeçare, mund të kthehet në rolin
e “Ian Solo” për filmin e shtatë të sagës “Star Wars” (lufta e yjeve).

Lajmin e bën të ditur e përditshmja angleze “Daily Mail”, sipas të cilës “Disney”, që ka blerë të drejtat nga George Lucas, është në kontakt me aktorin. Episodi do të jetë vazhdimi i “Jedi”, i fundit në të cilin Ford ka interpretuar.

Ndërkohë, ka zëra për kthimin edhe të Mark Hamill nën petkun e personazhit Luke Skywalker dhe të Carrie Fisher, e njohur si princesha Leila.

Regjisori i zgjedhur për filmin e ri “Star Wars” është J.J. Abrams, i mirënjohur për regjinë e serialeve popullore televizive “Alias” dhe “Lost”.

Abrams, që pak vite më parë rilançoi “Star Trek” për Paramount, është zgjedhur nga “Disney” për episodin numër 7, i cili parashikohet të dalë në kinema në vitin 2015.

“Disney” ka blerë “Lucasfilm”, shtëpia e produksionit e “Star Wars”, në janar për 4 miliardë dollarë dhe ka zgjedhur Abrams për të sjellë në jetë projektin.

Top Channel