“Miniera është keqmenaxhuar”

20/02/2013 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike Selami Xhepa, lëshon alarmin se miniera e
Bulqizës, një nga pasuritë më të mëdha natyrore të vendit, po shkon
drejt degradimit për shkak të keqmenaxhimit dhjetëvjeçar nga sektori
privat.

“Që nga marrja me koncension e kontratës, që nga viti 2001-2002, praktikisht në gati një dekadë që kontrata po menaxhohet nga sektori privat, investitorët privatë nuk kanë arritur të plotësojnë detyrimet ligjore, në veçanti kryerjen e investimeve që lidhen me zgjerimin ose jetëgjatësinë e këtij aktiviteti ekonomik”, tha Xhepa.

Zoti Xhepa, i cili përfaqëson zonën e Bulqizës në Parlament thotë se keqmenaxhimi i minierës, që shteti e ka toleruar gjatë kësaj kohe ka bërë që përfitimet për banorët e zonës, por edhe ekonominë kombëtare në tërësi të jenë minimale.
 
“Miniera e kromit ka punësuar një numër shumë të madh qytetarësh, kam parasysh që në kulmin e veprimtarisë së saj më shumë se tre mijë qytetarë kanë qenë të punësuar, që do të thotë ofronte një punësim për një numër shumë të gjerë banorësh, ndërkohë që tani perspektivat e punësimit kanë ardhur gjithnjë e në tkurrje. Të ardhurat që ka garantuar miniera kanë ardhur gjithashtu në rënie, për shkak të rënies së volumit të aktivitetit ekonomik, por ajo që është më shqetësuese është që deri tani miniera po vazhdon të shfrytëzohet thjesht nga rezervat gjeologjike të krijuara nga investimet e hershme”, tha Xhepa.

Pak javë më parë e drejta e shfrytëzimit të minierës u ble nga ‘Balfin Grup’, një shoqëri e zotëruar nga biznesmeni shqiptar Samir Mane.

“Si përfaqësues i këtij komuniteti i kam bërë apel Ministrisë së Ekonomisë për të kërkuar ndjekjen e gjithë procedurave ligjore dhe respektimin e detyrimeve kontraktore për investitorët për koncensionarët pavarësisht nacionalitetit të tyre, në mënyrë që të garantohet dhe t’i kthehet besimi qytetarëve dhe minatorëve që kjo pasuri natyrore do të ketë një jetë të gjatë dhe kjo menjëherë do të ofrojë më shumë përfitime për komunitetin”, tha Xhepa.

Zoti Xhepa thotë se nëse Qeveria do të vazhdojë të tolerojë mosrespektimin e detyrimeve të privatit, jo vetëm miniera, por edhe qyteti i Bulqizës rrezikon një fund të hidhur.

“Nëqoftëse një situatë e tillë do të ndodhte mendoj se do të kjo do të rrezikojë seriozisht vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik në këtë pasuri natyrore, duke rrezikuar padyshim edhe ekzistencën e vetë qytetit, sepse këto qytete minatorësh e lidhin ekzistencën e vetvetes së tyre, pikërisht me ekzistencën e një aktiviteti të tillë, në rast të të kundërt vihet në dyshim edhe ekzistenca e vetë qytetit”, tha Xhepa.

Top Channel