Fotot e Kate, “Chi”: Nuk përbëjnë skandal!

14/02/2013 04:05

Editori i revistës italiane gossip, “Chi”, ka mbrojtur përdorimin e fotove të Dukeshës së Cambridge, me bikini gjatë pushimeve, duke thënë se ato janë “foto të një çifti të ri të dashuruarish”.

Alfonso Signorini tha se imazhet nuk përbënin një shkelje të privatësisë. Zyrtarë të pallatit “St James” bënë të ditur se publikimi i tyre ishte “shkelje e të drejtave për privatësi të çiftit”.

Imazhet pritet të publikohen gjithashtu edhe në një revistë australiane, ditën e hënë. Ndërkohë, ITV kërkoi falje për shfaqjen e imazhit të turbullt të revistës.

Signorini shtoi më tej: “Ato janë imazhe më se normale, nuk përbëjnë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, pasi vetëm sa janë përmendur në kopertinën e revistës. Fotografitë, të cilat nuk mund të konsiderohen kurrsesi skandaloze, u blenë nga një agjenci fotosh ndërkombëtare, nuk e cënojnë imazhin e protagonistëve dhe reagimi i mediave më duket tërësisht i ekzagjeruar. Mbi të gjitha, fotografitë nuk mund të konsiderohen shkelje privatësie, për sa kohë subjektet në to janë figura publike, në një vend publik, më saktësisht në një plazh të rrethuar nga shumë plazhistë të tjerë. Gjithashtu, është i vërtetë fakti se shtypi italian nuk është pjesë e marrëveshjes fisnike mes shtypit britanik dhe Buckingham Palace”.

Ai theksoi në vazhdim: “Ajo që lexuesit tanë do të shohin është thjesht një moment relaksimi të lumtur, që shijohet nga një çift i buzëqeshur dhe më se i gëzuar. Ku qëndron skandali këtu?”

Top Channel