Azerbajxhani mbështet TAP

14/02/2013 00:00

Pas nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe në Athinë mes Shqipërisë,
Greqisë dhe Italisë, Qeveria e Azerbajxhanit ka dalë për herë të parë
haptazi në mbështetje të gazsjellësit transadriatik.

Zëvendësministri i Energjisë në Azerbajxhan, Gulmamad Javadov ka deklaruar për prestigjozen “Bussiness Week” se TAP është projekti favorit i Qeverisë së Azerbajxhanit, si rruga më e mirë për të transportuar gazin azer në Europë.

Aktualisht Tap ka vetëm një rival me të cilin konkurron, projektin ‘Nabucco’ dhe roli i Qeverisë së Bakut konsiderohet si përcaktues në vendimin final për projektin fitues.

“Azerbajxhani shpreson se oferta finale e gazsjellësit transadriatik që do të dorëzohet në fund të marsit do të jetë e fortë dhe konkurruese për t’u zgjedhur si korridori jugor i transportit të gazit në Europë”, është shprehur Javadov nga Athina.

Projekti 800 kilometër i gjatë zotërohet nga tre gjigandë të fushës energjetike, norvegjezja “Shtatoil”, zviceriania Egl dhe gjermanja Eon Rurgas. “TAP ka qenë gjithmonë teknikisht i mirë, financiarisht i fortë dhe fizibël. Marrëveshja trepalëshe i jep projektit themele të forta politike dhe ligjore si një shans i mirë për të qenë pjesë e korridorit jugor të gazit,” ka vazhduar Javadov.

Vendimi se cili nga projektet do të shpallet fitues pritet të merret në qershor të këtij viti nga tre kompanitë që zhvillojnë fushën e Shah Deniz 2, që janë ‘British Petroleum’, ‘Shtatoil’ dhe kompania shtetërore e naftës në Azerbajxhan, ‘Sokar’. ‘Shtatoil’ është direkt e përfshirë në gazsjellësit transadriatik duke qenë aksionerja kryesore e tij me 42.5 për qind të kuotave. Në këtë pikë pozicionimi i qeverisë azerbajxhanase në mbështetje të TAP, duket se e orienton edhe vendimarrjen e aksionerit të tretë, kompanisë shtetërore ‘Sokar’ drejt përzgjedhjes së TAP, realizimi i të cilit përvcse sjell përfitime direkte për ekonominë shqiptare, rrit rolin gjeo-strategjik të vendit.

Top Channel