15 vite më parë, në një studio të vogël në qendër të kryeqytetit,  nisën transmetimet e asaj që shumë shpejt do të kthehej në radion më të dashur për shqiptarët: Top Albania Radio, nisma e parë e suksesshme e personit që brenda pak kohësh do të njihej si gjeniu mediatik duke bërë revolucion në fushën radio-televizive, zoti Dritan Hoxha.

Me një dëgjueshmëri që shënoi rekord që në vitin e parë, kohë pas kohë, kjo radio u zhvillua në staf, përcjellje informacioni, muzikë, zbavitje, art, kulturë e sport. Por, risitë në fushën e radiofonisë kanë qenë thelbi i saj që në momentin e krijimit.

Hektor  Pustina, drejtori i Top Albania Radio, shprehet:
“Risia e Top Albania Radio ishte brezi i ri në media. Personazhet në fillimet e radios kanë qenë 14 vjeç. Kishte një vakuum nga brezi i ri në mediat tona dhe filozofia e kësaj radioje ishin të rinjtë dhe teknologjia bashkëkohore. Gjithashtu, Top Albania Radio shërbeu si trampolinë për mediat shqiptare duke kaluar edhe kufijtë. Baza e Top Channel, po të shohësh të gjithë personazhet që sot janë në Top Channel, por edhe në media të tjera punë kanë nisur në Top Albania”

Në vitin 2000, mori licensën si radio kombëtare. 2001-shi do të sillte risi të tjera. Spostimin në Qendrën Kombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”, në një studio me teknologji të lartë.

Një vit më pas, hapësirë e gjerë iu dedikua informacionit dhe emisioneve me tematika të ndryshme, njëri prej tyre “Good Morning Albania”, i cili më pas do të transmetohej edhe në Top Channel.

Ndër programet e para kanë qenë “Një këngë për ty” dhe “Disco Lancio”, që u shndërruan në kult, së bashku me një sërë të tjerash si Ëake Up, Live from Tirana, Radio Cinema, Road Trip, Rikoshet, Mix to Mix, Summer Dance, Pro Shqip, Top Dance.  

Në vitet e fundit, TAR iu shtuan edhe emra të njohur të gazetarisë televizive si Sokol Balla me emisionin “Sokol Balla Live”, apo Alban Dudushi me “Triçikël”, Saimiri dhe Doktori me “Radio Mania”. Të ftuar në radio kanë qenë personalitete të të gjitha fushave, si Presidentë të Republikës apo emra të njohur të artit e kulturës, vendas dhe të huaj.

Sa i përket informacionit, janë 24 edicionet informative në ditë, tre edicione qendrore dhe të tjera flash me zhvillimet më të fundit nga vendi dhe bota.

Muzika shqiptare është një ndër prioritetet e Top Albania Radio, përveçse promovohet në një hapësirë prej rreth 40% të playlistës muzikore, këtu edhe prodhohet muzika vendase.

Nga 14 shkurti i 1998-ës, 24 orë në 24, me një eksperiencë tashmë prej 15 vitesh, Top Albania Radio me qëllimin për të zbavitur e për t’u dhënë shqiptarëve të rejat më të fundit në muzikë, informacion e teknologji.

Top Channel