Instituti i Statistikave raportoi se vitin e kaluar importet totale ranë
për herë të dytë në dekadën e fundit, pas tkurrjes në vitin 2009, kur
ekonomia u përball me efektet e para të krizës.

Sipas të dhënave, shifra në vlerë e mallrave që Shqipëria bleu nga jashtë zbriti në 528 miliardë lekë ose 2.9 për qind më pak se një vit më parë. Po të zhvishet efekti që vjen nga rritja e cmimeve, rënia reale është edhe më e madhe duke konfirmuar tkurrjen e kërkesës së brendshme në ekonomi.

Por ky është vetëm njëri nga sinjalet që vjen nga tregtia me jashtë. Shifrat tregojnë se kategoria më e prekur nga rënia e importeve janë mallrat që përdoren për investime. Sipas të dhënave, importi i makinerive dhe pajisjeve, pa përfshirë mjetet e transportit, ishte vitin e kaluar 14.2 për qind më i ulët se një vit më parë dhe rënia ka ardhur duke u thelluar gjatë muajve të fundit të vitit.

Por ky nuk është treguesi i vetëm që dëshmon se biznesi po tkurr investimet. Në nëtor ritmet e kredisë për sipërmarrjet ranë në 4.6 për qind, vlera më e ulët që nga viti 2004. Shifrat tregojnë se, ngadalësimi i kredisë ka ardhur tërësisht nga rënia e kredisë për investime. Në peirudhën tetor-nëntor madje huatë për investime u tkurrën me 5 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë thotë se investimet private në ekonomi edhe gjatë këtij viti do të diktohen nga perceptimi i lartë i rrezikut, dhe hezitimi i bankave për të kredituar sipërmarrjen, një sinjal ky jo pozitiv për rritjen ekonomike dhe punësimin.

Top Channel