Vidhnin në TEC-in e Fierit, shpallet në kërkim drejtori

12/02/2013 00:00

Drejtori i TEC-it në Fier, zyrtar i LSI-së, është shpallur në kërkim nga
policia, pasi dyshohet si organizator në vjedhjen e ndërmarrjes që ai
drejtonte.

Dyshimet mbi të kanë rënë pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Fierit, e cila ka arrestuar tre punonjës të OST-së dhe dy roje të TEC-it, ndërkohë që një person tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Ata janë kapur duke vjedhur kavot e aluminit në ambientet e ndërmarrjes, ku sasia e bllokuar vetëm gjatë operacionit arrinte një vlerë prej 3 milionë lekësh. Për këtë hetim të kryer nga Policia e Fierit është shpallur në kërkim edhe Qemal Vrenozi, ku sipas grupit hetimor i ka shpëtuar arrestimit.

Arrestimet

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Fierit thanë se në pranga kanë përfunduar tre punonjës të OST-së dhe dy roje të TEC të Fierit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qarkut, Ermal Yzeiraj, 29 vjeç, Arjan Zhupa, 47 vjeç, Nuri Hoxha, 63 vjeç, punonjës pranë OST-së, janë kapur në flagrancë, duke prerë kavo alumini në ambientet e TEC-it. Hetim në gjendje të lirë ka nisur edhe për 60-vjeçarin Y. I, pasi ka qenë në afërsi të vendit ku po kryhej prerja e kavove të aluminit dhe nuk ka njoftuar. Gjithashtu janë arrestuar Ilir Zgjana, 31 vjeç dhe Islam Islamaj, 60 vjeç, roje në TEC, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. “Ata dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën si punonjës të SHRSF-së pranë TEC, duke mos kryer detyrën funksionale për të mos lejuar vjedhjen e sasisë së aluminit”, thotë Policia e Fierit. Ndërkaq, në kërkim është shpallur edhe Qemal Vrenozi, 38 vjeç, drejtori i TEC, pasi sipas policisë, ai ka dhënë urdhër të paligjshëm për prerjen e kavove të aluminit, duke u akuzuar për vjedhje, duke shpërdoruar detyrën.

Hetimet

Burimet nga grupi hetimor thanë se kjo lloj vjedhje dyshohet se ka ndodhur disa herë në ambientet e TEC-it. Sipas të dhënave të mbledhura, punonjësit e OST-së shkonin atje për të prerë kavot, duke pretenduar se ato do të dërgoheshin për magazinim. Por, në të vërtetë këto objekte dërgoheshin për shitje dhe gjithçka mendohet se ndodhte me lejen e drejtorit të TEC. Megjithatë, policia tha se nuk ka mundur të arrestojë 38-vjeçarin Vrenozi, të cilin e ka shpallur në kërkim, por deri në orët e vona të natës nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar në lidhje me fatin e tij. Sipas të dhënave, ai është zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga informacionet pranë LSI-së mësohet se ky është kreu i kësaj partie për Komunën Ndërmjetas që prej qershorit të vitit të kaluar, i cili ka fituar një mandat 4-vjeçar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel