Shkojnë për tatuazh, piktori përdhunon adoleshentet

12/02/2013 00:00

Adoleshentet shkonin në studion e një piktori, me qëllim për të bërë
tatuazhe, por binin pre e dhunës seksuale. Të paktën dy raste janë
dokumentuar nga policia për piktorin nga Pogradeci, ndërkohë që dyshohen
edhe raste të tjera, pasi ai vetë ka pranuar se është në krizë, sepse
po divorcohet nga bashkëshortja.

Burimet policore të Korçës thanë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Pogradecit, ku një 41-vjeçar, ka përdhunuar dy adoleshente të cilat kishin shkuar në studion e tij për të bërë tatuazh.

Sipas policisë së Korçës, autori është Andon Sallo, banues në Petrushë të Pogradecit, i cili është ndaluar ditën e djeshme nga policia, pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me dy vajza 16-vjeçare, ndërsa dyshohet për abuzime edhe me vajza të tjera. Mësohet se 41-vjeçari kishte marrë një ambient me qira në lagjen nr. 1, në Pogradec, në të cilin u bënte tatuazhe personave të ndryshëm. Më datë 4 shkurt të këtij viti dyshohet se një 16-vjeçare me iniciale J. J., nga Pogradeci ka shkuar për të bërë një tatuazh, por ka rënë pre e abuzimit seksual të 41-vjeçarit. “Ky i fundit i ka thënë asaj që të shkonte në tualet për të lagur me ujë vendin ku do të bënte tatuazhin, pasi duhet të mpihej më parë. Sapo vajza mbërriti në tualetin e vogël, 41-vjeçari e ndoqi nga pas ku dhe dyshohet se e përdhunoi”, ka bërë të ditur grupi hetimor. Mësohet se adoleshentja nuk bëri denoncim, ndërsa policia në rrugë operative mundi të informohej për abuzimet e Sallos, i cili më datë 6 shkurt të këtij viti tentoi të përdhunonte një tjetër 16-vjeçare me iniciale A. D, banuese në fshatin Remenj të Pogradecit. Pas mbledhjes së provave, policia ndaloi piktorin 41-vjeçar, i cili bënte tatuazhe. Burime nga policia thanë se sipas dëshmisë së e parë, Sallo deklaroi se vajzën e parë që e kishte përdhunuar do ta merrte për grua, por ku u përball me rastin e dytë të përdhunimit, ai nisi të ngrinte alibi të ndryshme. “Jam në krizë pasi po divorcohem nga bashkëshortja”, mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë kriminale, 41-vjeçari. Policia dyshon se Sallo ka abuzuar edhe me vajza të tjera dhe po punohet për dokumentimin e të gjitha rasteve. Ndërkaq, policia ka sekuestruar edhe disa materiale në studion e tij, ndërkohë që do të rimarrë dëshmitë e vajzave, që mendohet se janë përdhunuar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel