Berisha firmos vendimin për TAP-in

12/02/2013 19:25

Kryeministri Berisha firmosi vendimin e qeverisë për miratimin në parim të marrëveshjes 3-palëshe mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për Gazsjellësin Trans Adriatik.

Kjo është hera e parë në këto 8 vjet qeverisje që kryeministri Berisha shfaqet në publik duke firmosur një vendim qeverie.

Mesa duket, kryeministri ka zgjedhur ta bëjë këtë për shkak të rëndësisë që ka për të ardhmen e Shqipërisë projekti për Gazsjellësin Trans Adriatik.

Ky sistem, me sjelljen e gazit nga Azerbajxhani ridimensionon pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe sjell përfitime kolosale ekonomike për vendin.

Më herët kryeministri Berisha ka deklaruar se vetëm në territorin e Shqipërisë, investimi arrin në 2 miliardë dollarë dhe krijon rreth 20 mijë vende të reja pune.

Vendimi përfundimtar për Gazsjellësin Trans Adriatik, i cili rivalizon me projektin tjeter “Nabuko”, që nuk e përfshin Shqipërinë, pritet të merret në mesin e këtij viti.

Ndërkohë, tre qeveritë, e Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë, do të firmosin të mërkurën në Athinë marrëveshjen trepalëshe, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto.

Top Channel