Qeveria: Si mbrohemi në arbitrazh

08/02/2013 00:00

Një ditë pasi kompania çeke, CEZ njoftoi se ka nisur zyrtarisht
procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Qeverisë shqiptare,
Ministria e Ekonomisë hedh poshtë pretendimet e saj, duke deklaruar se
para Gjykatës duhen paraqitur fakte konkrete.

“Duke u nisur nga dokumentacioni që ne kemi deri tani në dispozicion mendojmë që ky pretendim nuk qëndron. Megjithatë kjo do të kuptohet më mirë, kur pala ceke t’i sjellë të dokumentuar 200 milionë”, u shpreh Agim Bregasi, drejtor i Politikave Energjetike në Ministrinë e Ekonomisë.

Zoti Bregasi thotë se humbjet prej 200 milionë eurosh, që kompania çeke pretendon nga biznesi i saj në Shqipëri janë pasojë e keqmenaxhimit të Sistemit të Shpërndarjes të bërë prej saj.

“CEZ-i e ka marrë shoqërinë, kur arkëtimet ishin 88 për qind dhe tani janë diku te niveli i 60 për qind, kurse humbjet kanë qenë diku të 32 për qind, ndërsa tani kanë shkuar në nivelin 49 për qind. Kemi një përkeqësim të menaxhimit të shoqërisë. Mund të themi që vetëm nga këto dy tregues humbjet e kompanisë CEZ janë rreth 200 milionë euro që mund të korrespondojnë, por që duhen verifikuar edhe me shifrën që ata thonë që kanë patur humbje në Shqipëri”, thotë Bregasi.

Sipas zotit Bregasi, kompania ka realizuar vetëm 7 për qind të investimeve të parashikuara në kontratë çka e detyroi që në prag të dimrit të deklaronte se nuk ishte në gjendje të mbante në gatishmëri rrjetin.

Top Channel