Moretz: Më pëlqejnë rolet e “errëta”

08/02/2013 19:35

Chloe Moretz ka shpjeguar në një intervistë për revistën ‘Marie Claire’ se si përgatitet për të interpretuar role të “errëta” në filmat e saj.

Aktorja e cila të dielën do të mbushë vetëm 16 vjeç, ka interpretuar së fundmi në versionin e ri të filmit ‘Carrie’, një horror i bazuar në romanin e Stephen King mbi një vajzë me fuqi telepatike e cila hakmerret ndaj shokëve të klasës të cilët e vinin në lojë.

Moretz deklaroi: “Më pëlqejnë filmat e mistershëm dhe të frikshëm, por vetëm kur luaj në to. Në shtëpi shoh filma të animuar dhe mendoj se kjo më ndihmon në rolet e mia.”

Në filmin ‘Carrie’, adoleshentja interpreton së bashku me Juliane Moore, të cilën e konsideron një frymëzim.

“Është një nga aktoret e mia të preferuara për të punuar. Nëse do të kisha mundësi të luaja çdo film në karrierën time me të, do të isha shumë e lumtur sepse Julianne është brilante”, u shpreh Chloe Moretz.

Top Channel