Duke vlerësuar të rinjtë si arkitektët e fitoreve të PD, kryeministri Sali Berisha nga Durrësi prezantoi për herë të parë një nismë të re për ta, që sipas tij qeveria pritet ta miratojë së shpejti.

“Qeveria do të paguajë për çdo të ri në tre vitet e para në çdo sipërmarrje sigurimet shoqërore”, deklaroi Berisha.

Duke mos e cilësuar premtim, por fjalë nderi, Berisha tha se PD do të përmbushë objektivin për punësimin e të rinjeve.

Ishin ata që krijuan 22 vite më parë Partinë Demokratike dhe ajo është forca e tyre, tha Berisha, i cili mbështeti besimin në fitoren e 23 qershorit tek energjia e tyre dhe kërkesa e të rinjve për integrimin europian.

“Ne do e lëmë mbrapa Edi Ramën me testamentin e etërve të tij. Ne do të ecim përpara drejt Europës”, tha Berisha.

Duke paralajmëruar fillimin e takimeve intensive elektorale, Berisha iu bëri thirrje të rinjve që t’i bashkohen fushatës së demokratëve. “Trokisni në çdo derë që të fitojmë si në 92-shin. Përpara”, u shpreh kryeministri.

Top Channel