Bamir Topi për 21 janarin

08/02/2013 20:00

Duke komentuar për herë të parë vendimin e pafajësisë së të akuzuarve për 21 janarin, ish-presidenti Bamir Topi drejton akuzat për rënien e drejtësisë te kryeministri Sali Berisha.

Në lidhjen e drejtpërdrejtë me edicionin qëndror informativ në Top Channel, Topi tha se Berisha, përpos uzurpimit të institucioneve, po ngre konflikt me partnerin strategjik të Shqipërisë, SHBA-të.

I vënë shpesh në shënjestër të akuzave si përgjegjës për emërimet pa kriter dhe integritet në drejtësi, në kohën kur ai ka drejtuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi u përgjigj:

“Këto janë zëra të çjerrë, ka patur kandidatura që mazhoranca m’i ka bllokuar dhe i ka rivotuar për të dytën herë në parlament, çfarë mund të them unë në këtë rast? A mund të akuzoj?”, u shpreh Topi.

Për ish-presidentin, varësia ndërinstitucionale në vend ka mbërritur në pikën më të ulët. Të varura nga Berisha nuk janë vetëm gjykatat, por edhe SHISH, Parlamenti e KQZ, tha ai.

Për Topin, këto janë sinjal i keq për zgjedhjet e 23 qershorit, për të cilat ai apeloi shqiptarët të votojnë për të shpëtuar demokracinë, ndërsa dhe administruesit e zgjedhjeve të marrin përgjegjësinë e detyrës për të shpëtuar proçesin, pasi në të kundërt, tha ai, një ditë pas zgjedhjeve ata do të përballen me ligjin.

Ja dhe intervista e plotë e Topit, dhënë për Top Channel, ku ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Ilir Paço.

Paço: Zoti Topi, fillimisht një koment tuajin, si ish-kryetar i KLD, ish-president i vendit, si e shihni këtë vendim pafajësie që ka hapur kaq shumë polemika dhe zemërim jo vetëm te politika dhe familjarët e viktimave? A e prisnit?

Topi: Për hir të së vërtetës, qoftë si president e qytetar, në parim jam shprehur e do vazhdoj të them që s’mund të bëhem pjesë e komenteve për vendimet e gjykatave. Por nuk mund të mos komentoj klimën ku është ngritur kjo situatë. Është një klimë mes politikës dhe marrëdhënieve të acaruara institucionale. Unë e kam thënë dhe i paralajmërova kryeministrin dhe kreun e opozitës në vigjilje të ndryshimeve kushtetuese: kujdes me ndryshimet. Sot nuk jam në gjendje gëzimi.

Paço: Mendoni se gjykata ka vepruar në lirshmëri, pavarësi të plotë, apo mbi vendimin ka qenë e ndikuar?

Topi: Në vitin 2013, të gjitha pushtetet janë të përqendruara tek kryeministri. Kryeministri, përveçse ka krijuar një klimë vartësie, po na çon në një përplasje edhe me miqtë ndërkombëtarë. Unë nuk mund të gjykoj vendimin, por mund të them se nga lufta që unë bëra në kohën kur isha president për të pasur institucione të pavarura, sot është e kundërta. E gjithë klima dominohet nga kryeministri.

Paço: Ka patur disa zëra që kërkojnë edhe nga ju të mbani përgjegjësi për emërimet e këtyre gjyqtarëve gjatë kohës kur keni qenë kryetar shteti dhe i KLD-së.

Topi:
Ato zëra unë i kam dëgjuar gjithmonë, janë zëra të çjerrë. E gjithë baza e kontradiktave që unë kam pasur me mazhorancën kur isha president, ka qenë mënyra e emërimit të kandidaturave. Unë kam pasur si prioritet profesionalizimin, por të gjitha kandidaturat mazhoranca i ka rrëzuar pa asnjë motiv. Disa kandidatura që janë paraqitur për herë të dytë janë pranuar nga mazhoranca. Çfarë ndodhi? Sot gjërat janë të qarta. Kjo është klima më e nderë në marrëdhëniet institucionale.

Paço: Ambasada amerikane u shpreh me tone të forta për këtë vendim të gjykatës, duke komentuar ndoshta për herë të parë një vendim gjyqësori. Dhe nga ana tjetër kemi përgjigjen e gjykatës që e cilëson deklaratën si ndërhyrje dhe shqetësuese. Si ish-president i vendit dhe si politikan aktiv tashmë, cila ju shqetëson më shumë, qëndrimi amerikan apo reagimi i gjykatës?

Topi: Asnjëherë gjykata s’ka pasur kurajë të hyjë në konflikt me partnerët strategjikë. Kjo është e dëmshme. Ndaj pjesën e vendimit dhe nuk ndërhyj aty, por më shumë më shqetëson fakti se ne kemi pasur gjithmonë ndihmë nga ekspertët amerikanë dhe i jemi referuar politikës amerikane. Ishte prokuroria që i kërkoi ambasadorit Arvizu që të futej në lojë FBI-ja për ekspertizën e saj dhe në momentin që kjo ekspertizë nuk merret në konsideratë, fillon kjo lojë politike që nuk i bën aspak mirë vendit.

Paço: Ambasada amerikane u shpreh për një vendim që minon vullnetin dhe besimin e gjykatës për të dhënë drejtësi dhe se priste një hetim të besueshëm. E po ashtu edhe Bashkimi Europian bëri thirrje për një proçes të drejtë në Apel. Kujt i drejtohen këto sinjale të ndërkombëtarëve?

Topi: Këto sinjale i drejtohen në radhë të parë politikës, sepse është ajo që në mënyrën e komunikimit, me të gjitha sjelljet ndaj institucioneve, lë vend për të dyshuar për pavarësinë e tyre. Kjo ka qenë një nga kërkesat e standarteve të BE, për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Por ne po rikthehemi në një klimë ku është padyshim dora e kryeministrit që po tenton të kontrollojë të gjitha pushtetet, jo vetëm drejtësinë, por edhe SHISH, KQZ-në, etj. Atë që nuk e bën dot KQZ-ja e merr në dorë mazhoranca, e cila mjafton të ketë 71 vota dhe zgjedh të gjithë krerët e institucioneve sipas dëshirës dhe po ashtu i heq. Por nuk është kjo ajo që duam. Me partnerët ndërkombëtare ne kemi diskutuar për “check and balance”.

Paço: Mendoni se ky gjyqësor, ky system drejtesie garanton edhe vendime të drejta në zgjedhjet e 23 qershorit?

Topi: Unë nuk mund të vë shenjë barazie tek të gjithë gjyqtarët, sepse ka gjyqtarë me integritet e profesionalizëm, që nuk janë ndikuar, sikurse ka gjyqtarë e njerëz të lidhur direkt dhe që duan të jenë të varur nga politika. Inkurajoj gjyqtarët e prokurorët që të bëjnë detyrën para ligjit dhe Kushtetutës. Sa për klimën e zgjedhjeve, tentativa për ta polarizuar KQZ-në tregon se ka diçka që nuk shkon. I bëj thirrje të gjithë njerëzve që kanë arsye të besojnë tek demokracia, të marrin fatin e tyre në dorë. Emrin në listën e votimit dhe pjesëmarrjen më 23 qershor. Zgjedhja pastaj është opsionale. Dita pas zgjedhjeve është shumë e rëndësishme për ata që zgjidhen ndaj atyre që i zgjodhën dhe para Kushtetutës.

Top Channel