METE: Samir Mane bleu “ACR”-në

07/02/2013 00:00

Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto i është përgjigjur përmes një letre pyetjeve që deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri i drejtoi lidhur me shitjen e të drejtës së shfrytëzimit të kromit të minierës së Bulqizës nga kompania “ACR”, tek biznesmeni Samir Mane. Në letrën e tij, zoti Haxhinasto nënvizon:

”Në datën 06.02.2013, në METE është protokolluar një njoftim i “ALBANIAN CHROME” me anë të të cilit vihemi në dijeni të faktit që ortakët e “ACR Holding” i kanë shitur shoqërisë “BALFIN” 100% të kuotave të “ACR Holding”. Nisur nga ky njoftim kuptohet që vetëm kuotat e shoqërisë “ACR Holding” i janë shitur “Balfin”, gjë e cila nuk ka sjellë ndryshim të shoqërisë konçesionare “ALBANIAN CHROME” dhe mbetet po Shoqëria Konçesionare e mësipërme që vazhdon të kryejë aktivitetin e përcaktuar në Marrëveshjen Konçesionare. Në këtë lloj transaksioni nuk shiten kuotat e shoqërisë konçesionare, por shitet shoqëria italiane mëmë që ka krijuar shoqërinë konçesionare dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është përpara po të njëjtës shoqëri konçesionare “ALBANIAN CHROME”, madje me të njëjtin numër regjistrimi (NIPT)”.

”Sipas ligjit për koncensionet dhe marrëveshjes së konçensionit”, vazhdon më tej zoti Haxhinasto, “shoqëria “BALFIN” nuk ka detyrimin të marrë miratimin paraprak të Organit Shtetëror të Autorizuar ose Ministrisë së Ekonomisë për transferimin e aksioneve të një shoqërie që vepron në Itali”.

Duke iu përgjigjur një nga një 9 pyetjeve të deputetit Tahiri, ministri i Ekonomisë thotë se shoqëria “Balfin” do të duhet të plotësojë kushtet e investitorit të sektorit duke vazhduar operimin e aktiviteteve të konçesionit në fjalë me kapacitetet e saj financiare dhe asetet e Shoqërisë Konçesionare “ALBANIAN CHROME”.

Ndërsa lidhur me gjobën që ACR duhet ti paguajë shtetit shqiptar, zoti Haxhinasto thotë se ky detyrim është 1 693 163 EURO për të cilin është rënë dakord midis palëve që të likuidohet nga vlera e TVSH-së së pa rimbursuar në adresë të Konçesionarit nga ana e Drejtorisë së Tatim-Paguesve të Mëdhenj.

Balfin: Bleme kompanine meme

Ndërkohë përmes një tjetër deklarate ka reaguar biznesmeni Samir Mane, i cili shprehet se shitja dhe blerja e aksioneve të një shoqërie tregtare private nga një shoqëri apo individ privat, shqiptar apo i huaj është një e drejte e parashikuar nga ligji shqiptar.

Ne deklaraten e “Balfin Group”, qe eshte shoqeria ne pronesi te zotit Mane, thuhet se “ACR” nuk eshte larguar nga Shqiperia, por ka ndryshuar pronesia e mbajtesit te aksioneve te “ACR” ne Itali qe zoteron edhe “ACR”-në ne Shqiperi, nga “Dekometal” te “Balfin Group”.

Blerja e kuotave të shoqërisë koncesionare “ACR” lejon vazhdimin e veprimtarisë së kompanisë “Albanian Chrome”, me të njejtat kushte si më parë, pra pa ju shmangur asnjë detyrimi, qoftë ky kontraktual, fiskal, rregullator apo i çfarëdolloj natyre ndaj çdo pale të tretë, përfshirë dhe shtetin.

Në reagimin e tij, biznesmeni Mane përmend edhe detyrimet ndaj kontraktorëve vendas, që kanë shkaktuar vështirësi jo të pakta për qindra biznese, duke qenë se ato tejkalojnë shumën prej 10 milion eurosh.

”Duke vlerësuar si primar kapitalin njerëzor dhe impaktin social të kësaj industrie, ndër hapat e parë të ndërmarrë nga kompania jonë është mbulimi i pagave të punonjësve për muajin dhjetor e në vijim përfshirë dhe pagën e 13, detyrim ky, që vetëm për këto muaj kap shifrën e 2 milionë eurove”: deklaron biznesmeni Mane.

Top Channel