BERZH: Përmirësoni klimën e biznesit

06/02/2013 00:00

Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në Tiranë, nënvizoi se Shqipëria e përballoi krizën financiare, por për të pasur qëndrueshmëri duhet përmirësimi i klimës së biznesit dhe të zhvillohen politika të rritjes ekonomike. Prioritet i strategjisë së BERZH-it për Shqiperinë do të jetë mbështeja e sektorit privat.

“Strategjia për Shqipërinë, e miratuar në dhjetor, parashikon një periudhë prej tre vjetësh. Është një strategji që përqendrohet tek zhvillimi i pjesëmarrjes së sektorit privat, tek sigurimi i një sektori efikas dhe efiçent të energjisë elektrike që është shumë i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin, për pjesëmarrjen më të madhe të investimeve private për sektorin agro-bujqësor, si dhe për ndërmjetësimin financiar, sepse ka shumë likuiditet në Shqipëri dhe do të ishte mire që të shkonte për zhvillim ekonomik të vendit”, deklaroi Chakrabarti.

Ndërsa kryeministri Berisha falenderoi BERZH-in për invenstimet e bëra në Shqipëri, duke mbështetur me dhjetra projekte. I pyetur nga gazetarët për rritjen e nivelit të borxhit, kryeminitri tha se borxhi është i shëndoshë dhe mbetet i menaxhueshëm.

“Borxhi në tërësi i ka shërbyer dhe i shërben këtij sistemi për zhvillim, për ndërtim, por ai kthehet në “lak në fyt” që në momentin që shfaqen vështirësitë e para serioze në përgjigjen ndaj tij. Mund të them se qeveria shqiptare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vështirësi në shërbimin ndaj borxhit dhe është në detyrën e saj të parashikojë e të parandalojë situata të cilat e çojnë atë në një gjendje të vështirë për t’u shërbyer”, deklaroi Berisha.

Në 20 vite, BERZH ka financuar mbi 700 milionë dollarë në Shqipëri, në infrastrukturë, sektorin energjitik, si dhe ka asituar koorporata të mëdha private.

Top Channel