Kroacia është një vend i Ballkanit, që ndodhet në prag të hyrjes në Bashkimin Europian, me anëtarësimin e pritshëm më 1 korrik të këtij viti.

Në tryezën për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan dhe në Kaukaz, gjatë Konferencës së 49-të të Sigurisë në Mynih, presidenti kroat Ivo Josipovic dha, ndër të tjera, shembullin e rrugëtimit të vendit të tij drejt BE-së.

“Procesi i integrimit europian ka një fuqi shndërruese për shtetet dhe shoqëritë dhe ky është një fakt i provuar. Kroacia, siç e dini, pas luftës ndërmori reforma shumë të rëndësishme. Ne u bëmë një shoqëri më e mirë dhe më e sigurt, rezultat shumë i rëndësishëm i rrugëtimit tonë europian. Le të marrim vetëm luftën kundër korrupsionit dhe ndryshimin e madh të qasjes, jo vetëm ndaj praktikave politike dhe të biznesit, por edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve se është në interesin e tyre të jetojnë në një vend pa korrupsion. Shoqëria nuk dëshiron më të tolerojë korrupsionin dhe kjo gjë është e dukshme, në të gjithë pjesët e shoqërisë tonë”, tha Ivo Josipovic, president i Kroacisë.

Presidenti kroat e përmblodhi në tre fjalë situatën e sotme në Ballkan: pajtim, tranzicion dhe bashkëpunim. Sipas tij, problemet e sigurisë në rajon nuk janë më konflikte të ngrira, por çështje të papërfunduara shtetformimi apo tranzicionesh të stërgjatura.

Josipoviç deklaroi se, megjithë çështjet e pazgjidhura mes shteteve të Ballkanit, koha e luftës dhe e konflikteve ka përfunduar.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA