Igli Tare: “E ardhmja ime? Askush nuk më ka thënë asgjë. Tifozët meritojnë një ekip tjetër”
Sot futbolli është më shumë profesion se sa pasion dhe me të drejtë pronarët e klubeve u kërkojnë futbollistëve të tyre që të lënë menjanë emocionet e të tregohen profesionistë në fushë, duke thënë gjithnjë maksimumin, edhe në rastet kur përballë kanë skuadrën e tyre të zemrës, për hir të milionave që përfitojnë.
Ai që goditi këtë dogmë ishte Mario Balotelli me kalimin e tij tek Milani. SuperMario njihej si tifoz i kuqezinjëve që në kohën kur luante për Interin dhe këtë nuk u mundua ta fshehë asnjëherë, përkundrazi.
Balotelli s’nguroi të shfaqej në publik me fanelën kuqezi në kohën kur luante për Interin, madje në seanca stërvitore me zikaltërit deklaronte “ju kapëm, edhe pak na duhet”, kur Milani i afrohej Interit në tabelën e klasifikimit, duke shkaktuar jo pak nervozizëm tek shokët e skuadrës ku ai (s’)bënte pjesë.
Megjithatë, Balotelli është ndër të paktët futbollistë në historinë e Serisë A që realizoi ëndrrën për të luajtur me skuadrën që bën tifo. Shumë të tjerë nuk kanë qenë me kaq fat. E nisim me Milanin, pikërisht me kapitenët legjendarë të tij, Franco Baresi dhe Paolo Maldini.
I pari kërkoi të niste karrierën me skuadrën e zemrës, Interin, por nuk kaloi testimin e zbuluesve zikaltër. Ndryshe ndodhi në “anën tjetër të lumit”, në kampin kuqezi, ku Baresi jo vetëm që fitoi testimin, por u shndërrua edhe në liderin e skuadrës.
Sa për Maldinin, vetë futbollisti në fëmijëri dhe adoleshencë kishte në dhomën e tij postera të Juventusit të Dino Zoff dhe Cabrini-t.
Hidhemi në kampin rival, Interi. Lista s’ka si të mos nisë me Peppe Meazza-n, futbollistin legjendar që realizoi ëndrrën për të luajtur me Interin, por jo ëndrrën për ta mbyllur karrierën tek Interi, por tek Milani. Një tjetër emër me “zemrën e ndarë”, Bergomi. Para se të shndërrohej në “kapitenin e mijëra betejave” tek zikaltërit, ishte tifoz i Milanit.
Andrea Pirlo realizoi ëndrrën e tij si tifoz duke kaluar nga Breshia tek Interi që nuk diti ta shfrytëzojë. U desh kalimi tek Milani që ai të shndërrohej një ndër dirigjentët më të mirë të mesfushës. Aktualisht luan për Juventusin.
Për të mbërritur tek rasti i fundit që është më i freskët, Antonio Cassano. Nga Bari tek Roma, e më pas aventura e dështuar tek Reali. Rikthehet në Itali me Sampdorian e më pas në Milano, por jo me skuadrën që bën tifoz, por me rivalët e saj. U desh vera e 2012-ës që barezi të vishte fanelën zikaltër pas një shkëmbimi me Pazzini-n.
Lëmë Milanon e hidhemi në Torino. Mjafton rasti Marchisio që nga tifozët bardhezinj dhe shumëkush tjetër shihet si lideri i Juventusit. Produkt i bardhezinjëve ku ka nisur të luajë që në moshën 7-8 vjeç dhe kujton sot derbit e fituara me Torinon.
Krejt ndryshe është situata në Romë, ku rivaliteti mes Lacios dhe Romës tejkalon atë sportiv. Dy kampet janë “në luftë” prej vitesh dhe një kalim nga bardhekaltër-verdhekuq apo anasjelltas është njësoj si të ndërrosh identitet.
Rasti tipik është Totti dhe Nesta. I pari kapiteni besnik i verdhekuqve, i dyti ish-kapiten i bardhekaltërve që deklaronte me krenari se si familja e tij ishte e vetmja familje tifoze me Lacion në mes të një lagjeje plot romanistë.
Për të kaluar më pas tek Di Canio. E nisi me Lacion, udhëtoi në gjysmën e Europës dhe perëndoi sërish bardhekaltër. Një tjetër shembull i futbollistit-tifoz është ai i Lukarellit “armiku politik” i Di Canio-s (i pari simpatizon radikalët e majtë, laciali radikalët e djathtë), që flaku tutje miliona euro për të luajtur me Livornon e tij.
Këto janë disa nga rastet e futbollistëve-tifozë në Serinë A, që sigurisht nuk do të jenë të fundit.
Top Channel