Ditën e shtunë, Kukësi e pa veten të zbresë në Kategorinë e Dytë pas humbjes me penallti ndaj Bylis B në ndeshjen e playoutit të Kategorisë së Parë. Por skuadra verilindore kërkon fitoren në tavolinë që do ta kthente atë në Kategorinë e Parë.

Nëpërmjet një komunikate, Kukësi bëri të ditur se i ka kërkuar zyrtarisht FSHF që të përmbysë rezultatin e sfidës në fushën e lojës për shkak të shkeljeve në rregullore nga Bylis B

Reagimi zyrtar i Kukësit

Pas ndeshjes “Play Out” ndaj Bylis B, FK Kukësi i është drejtuar zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komisionit të Disiplinës për shqyrtimin e shkeljes së Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike. Në bazë të listave të federimit, protokollit zyrtar të ndeshjes dhe sistemit COMET, rezulton se Bylis B ka aktivizuar 9 lojtarë të regjistruar tek ekipi A: Ahmed Ibrahim Adepoju, Ibrahim Ademola Akibu, Renato Beqaj, Dime Dimov, Guilherme Ferreira Buranelli, Ergi Hodo, Robert Muric, Paulo Pjeshka dhe Gjorgji Stoilov. Sipas nenit 52.16, lejohet aktivizimi i vetëm 5 lojtarëve nga ekipi A, ku 3 prej tyre duhet të kenë më pak se 10 ndeshje me ekipin e parë gjatë sezonit. Këto kushte nuk janë respektuar, duke përbërë shkelje të rregullores. FK Kukësi ka respektuar të gjitha pikat e rregullores, përfshirë edhe afatin e ankimimit brenda 24 orëve, sipas procedurave zyrtare, duke bashkangjitur dokumente që verifikojnë shkeljen, pamje filmike dhe protokollin zyrtar. Kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të ngjashme me Bylis B, ku janë marrë vendime për humbje në tavolinë për shkelje të rregullores. Për këtë arsye, klubi ynë kërkon zyrtarisht fitoren në tavolinë, në përputhje me rregulloren dhe precedentët ekzistues.FK Kukësi ka besim të plotë se organet kompetente të FSHF-së dhe Komisioni i Disiplinës do të japin një vendim të drejtë, të bazuar në fakte dhe në mbrojtje të integritetit të garës.

Top Channel