Me mbylljen e sezonit të rregullt të Kategorisë Superiore janë dhënë edhe verdiktet finale mbi rënien dhe skuadrat që kualifikohen në katërshe dhe marrin shpërblimet e akorduara nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Kështu, Vllaznia do të jetë skuadra, së cilës do t’i akordohet shpërblimi prej 10 milionë lekësh të rinj, me shkodranët, që mposhtën sot Flamurtarin dhe përfituan nga humbja e Elbasanit.

Verdheblutë do të marrin 7 milionë lekë, të ndjekur nga Egnatia me 5 milionë dhe Dinamo me 2 milionë, si vend i katërt. Në fund, ekipit kampion do t’i akordohen edhe 10 milionë të tjera, përveç këtyre shpërblimeve.

Sa i përket mbijetesës, Flamurtari dhe Bylisi janë kthyer zyrtarisht në Kategorinë e Parë, teksa Teuta do të duhet të luajë ndeshjen “play out” me fituesin e çiftit Besa-Pogradeci në Kategorinë e Parë.

Ishte Vora, që falë një fitoreje të thellë sot me Bylisin arriti të shmangë ndeshjen shtesë për rënien falë golavarazhit më të mirë se durrsakët, që e komplikuan shumë sezonin në fazën e katërt.

Tirana falë një faze të katërt të jashtëzakonshme, arriti të shmangte katastrofën në një sezon shumë të vështirë dhe larg asaj që tradita i ka mësuar bardhebluve.

Megjithatë, duket se me Orges Shehin dhe me këtë që kanë treguar në javët e fundit, bardheblutë kanë vënë baza të rëndësishme për tu kthyer konkurrues në sezonin e ardhshëm.

Top Channel