Edhe pak ditë kanë mbetur për të marrë një përgjigje përfundimtare nëse Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.
Sipas liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, fillimi i javës së ardhshme pritet që të tregojë epilogun e kësaj teme, dhe se po e ruan një dozë optimizmi.
“Po shkojmë nga mundësia për t’i dhënë një epilog opsionit për një marrëveshje qeverisëse. T’ju them të drejtën një dozë optimizmi e ruajmë, por nuk kemi sinjale që do të mbyllet për po”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë më tutje se nuk ka ndonjë opsion për ta rrëzuar qeverinë e Kosovës përmes mocionit të votëbesimit, por po mundohet të zhvillojë një politikë të pavarur ndaj partive të tjera politike.
Ditë më parë kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi bëri të ditur se posti i kryeministrit nuk mund të negociohet me AAK-në.
Ndryshe, të premten paradite lideri i AAK-së, Haradinaj, është takuar me atë të LDK-së, Isa Mustafa. Sipas zyrtarëve të AAK-së qëllimi i vetëm i takimit ka qenë reforma zgjedhore e cila ende nuk është përmbyllur, duke e konsideruar këtë si nevojë urgjente.
“Ne mendojmë se nuk guxojmë të hyjmë në vitin 2014 pa një ligj të ri zgjedhor, për shkak se sa më shumë që vonohemi, nëse nuk e konsiderojmë urgjente tani, urgjenca do ta ndikojë kualitetin e ligjit të cilin do ta bëjmë më vonë. Nëse do të jemi në presion të kohës se po i afrohemi zgjedhjeve, duhet ta keni të qartë se atëherë kjo do të reflektohet në kualitetin e ligjit”, ka thënë Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së.
Zgjedhjet e ardhshme paralamentare, sipas Kushtetutës, parashikohet të mbahen në vjeshtën e vitit 2014. Sidoqoftë, çështja e reformës zgjedhore pritet t’i bëjë bashkë liderët e partive politike në Kosovë gjatë javës së ardhshme.
Top Channel