Lobimi në SHBA, reagon qeveria

31/01/2013 00:00

Ministri për Inovacionin, Teknologjine e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo reagoi përmes një deklaratë për shtyp për akuzat e Partisë Socialiste në lidhje me kontratat që qeveria shqiptare nënshkruan për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kompaninë Patton Boggs.

Pollo thotë se kontrata e publikuar nga media është një draft, një dokument pune, i përdorur gjatë fazës së negociimit dhe kontrata ende nuk është nënshkruar.

Ministri thekson se nuk është një kontratë e re, por është një rinovim i kontratës ekzistuese, e nënshkruar në vitin 2010 dhe se nuk lidhet me fushatën elektorale dhe zgjedhjet e qershorit 2013.

Sipas Pollos, shërbimet e firmës ligjore Patton Boggs kanë të bëjnë me tërheqjen e investimeve amerikane në Shqipëri, kanë të bëjnë me nxitjen e legjislacionit në Kongresin e SHBA-së, që është i favorshëm për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, për nxitjen e qendrimeve të favorshme për Shqipërinë, si dhe për çështjen shqiptare nga ekzekutivi amerikan.

Sipas Pollos, këto shërbime promovojnë imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe njohurive korrekte për vendin tonë.

“Si ministër përgjegjës për miratimin e akteve zyrtare lidhur me këtë çështje, mendoj që përçimi i zërit të përfaqësuesve të Shqipërisë për të dhënë një informacion objektiv dhe një imazh pozitiv të vendit tonë, është një shërbim  për të cilën kemi shumë nevojë, jo vetëm në SHBA, por edhe në vendet e BE-së dhe më gjerë”, thuhet ne deklarate.

Sipas tij, nga ky shërbim mund të përfitojnë anëtarët e Qeverisë, por edhe deputetët e opozites, për sa kohë do të jenë në delegacione zyrtare në SHBA. Pollo thotë se pret sugjerimet e opozitës për kontratën në fjalë, ndërsa kujton se edhe Edi Rama kur ka qenë kryetar bashkie ka nënshkruar kontrata me kompani promocionale amerikane, për promovim personal, sic thotë ai, që është financuar me paratë e taksapaguesve.

Gjate dy diteve te fundit Top Channel publikoi draftet e dy kontratave të qeverisë shqiptare me dy kompani te ndryshme amerikane, Patton Boggs dhe Podesta Group.

Drafti i Patton Boggs parashikonte përvec të tjerash edhe lobimin në mediat e amerikane për intervista në media të zyrtarëve të qeverisë për të ndërhyrë sa hera ka lajme për Shqipërinë.

Në të njëjtjen kohë qeveria ka edhe një kontratë për të njëjtën shërbim, lobim me Podesta Group dhe fatura për të dyja kompanitë është gati një milion dollarë.

Top Channel